Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Nenad Rashiç nga komuniteti serb zgjidhet nënkryetar
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Nenad Rashiç nga komuniteti serb zgjidhet nënkryetar
Kuvendi i Kosovës ka konstituuar legjislaturën e nëntë. Në seancën e sotme u zgjedh deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si nënkryetar, me çka dhe u kompletua Kryesia e Kuvendit. Rashiq mori 71 vota për, nëntë kundër dhe 24 abstenime. Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e deritanishme të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Ai tha se shpreson që ky do të jetë fillim i ri për formimin e institucioneve.
“Jam shumë falënderues ndaj kolegëve të mi të cilët sot kanë votuar për mua dhe shpresoj që kjo do të jetë një fillim i ri në ndërtimin e institucioneve sa më parë që është e mundshme”, deklalroi Nenad Rashiq, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Paraprakisht asnjë propozim i Listës Serbe nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar. Në tri tentime radhazi janë hedhur në votim secili nga nëntë deputetët, por pa sukses.
Tani që Kosova ka Kuvend të ri, me kryetar dhe nënkryetarë të zgjedhur, hapet rruga për formimin e institucioneve të reja, plot tetë muaj pas zgjedhjeve. Presidentja Vjosa Osmani ka detyrë ligjore ta emërojë partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë. Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar. Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni. Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet Qeveria, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh. /Alsat.mk







