Kontesti me Bullgarinë, Brukseli: Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbi i zgjerimit të BE-së

Brukseli kërkon më shumë përpjekje për tejkalimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, duke theksuar prerë se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbi i zgjerimit të BE-së. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero kështu i kundërpërgjigjet kryeministrit dhe zv/kryeministrit, Zaev e Dimitrov të cilët një ditë më parë paralajmëruan se mund të shtyhet fillimi i negociatave me BE-në dhe e akuzuan Unionin se nuk do të jetë evropian, nëse do të lejojë që Bullgaria ta bllokojë vendin për shkak të kontesteve rreth gjuhës maqedonase dhe historisë së përbashkët.

“Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë vendosën shembull pozitiv për rajonin dhe më gjerë. Është e rëndësishme këto marrëveshje dypalëshe të vazhdojnë të zbatohen. I inkurajojmë të dy palët t’i dyfishojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për çështjet e pazgjidhura”, tha Ana Pisonero, Zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Në Këshillin Evropian nuk i komentojnë deklaratat e Zaevit dhe Dimitrovit, por thonë se diskutimet në këtë Institucion të lartë të BE-së po vazhdojnë.

“Diskutimet në Këshill po vazhdojnë. Nuk mund t’i komentojmë deklaratat e kryeministrit dhe zv/kryeministrit”, thonë nga Këshilli Evropian.

Përderisa BDI-ja nuk i komenton deklaratat e partnerit të koalicionit qeveritar, opozita kritikon ashpër pushtetin dhe i kërkon përgjegjësi për këtë, siç e quan, “dështim të politikës së jashtme”.

“Para disa viteve Zoran Zaev publikisht deklaronte dhe i qetësonte qytetarët se të gjitha çështjet në planin e jashtëm janë mbyllur. Tani e shohim se ato kanë qenë vetëm gënjeshtra, shpresa të rreme dhe përfundimisht Zaev e pranon se para disa viteve i ka gënjyer qytetarët. Ne do ta ndjekim këtë situatë serioze, që për faj të një njeriu si Zaevi rrezikon të shtyhet anëtarësimi i vendit në BE”, u shpreh Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

“Është deklaratë tejet pesimiste për gjithë qytetarët e vendit. Posaçërisht duke pasur parasysh faktin që ne si shqiptarë gjatë 3 dekadave kemi sakrifikuar shumë interesa kombëtare për hir të synimeve për integrim euro-atlantik. Konsiderojmë se tash është koha që të tjerët të bëjnë sakrifica. Kishte gatishmëri nga të dy anët më herët për kompromis, por fija diku është humbur. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi dhe t’iu lë hapësirë atyre të cilët mund ta gjejnë një kompromis, sepse integrimi në BE për ne si qytetarë dhe shqiptarë është i pakompromis”, deklaroi Skender Rexhepi, ASH AAA.

Borisov e Zaharieva së fundmi thanë se Shkupi nuk mund ta vazhdojë rrugën drejt BE-së, nëse deri më 10 nëntor nuk arrin kompromis me Sofjen për gjuhën maqedonase dhe historinë e përbashkët. Pavarësisht përplasjeve të politikanëve, komisionet e dyja vendeve pritet të takohen më 15 dhe 16 tetor.

Anesa SaliHu

LEXO EDHE:

Back to top button