Kontesti me Bullgarinë, Qeveria: Po vijojmë me shkëmbimin e idesh

Non-paperi që Shkupi i dërgoi Sofjes përmes përfaqësuesit special përmban “shkëmbim idesh”, thonë shkurt nga Qeveria, pa zbardhur më shumë detaje rreth ofertës për zgjidhjen e kontestit, për të cilën nuk mori ende përgjigje nga fqinji lindor.
Non paperi përmban shkëmbim idesh që i japim vazhdimisht derisa t’i kapërcejmë dallimet për të cilat Bullgaria pengoi integrimin tonë në BE, respektivisht për hapin e ardhshëm, mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare’ deklaroi SINKRON- Dushko Arsovski, Zëdhënës i Qeverisë.
Nga ana tjetër zv/ministri bullgar i Punëve të Jashtme Petko Dojkov thotë se nuk është me rëndësi forma me të cilën do të tejkalohen dallimet, por përmbajtja dhe zbatimi i saj.
Ka shumë variante, a do të jetë aneks, protokoll apo dokument i ri, s’ka lidhje formati. Momenti i parë është përmbajtja e dokumentit. Momenti i dytë është zbatimi. Mund të nënshkruajmë marrëveshje të re, apo anekse të reja, protokolle. Është me rëndësi që secili dokument të zbatohet- pohoi Petko Dojkov, Zv/ministër i Jashtëm.
Ai u shpreh i prerë se Sofja nuk po e pengon rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë, por vetë Shkupi përmes mos-zbatimit të marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017-të.
Arsyeja për sjelljen tonë gjatë muajve të fundit është mos-zbatimi i marrëveshjes. Gjithçka filloi me këtë. Bullgaria nuk e ndali procesin, nuk vendosi veto. Po të donte të vendoste veto, do ta bënte në mars, por e dhamë dritën jeshile. Ajo që presim nga Maqedonia e Veriut në vend të parë është të kthehet besimi mes dy shteteve tona. Së dyti, presim të qetësohemi. Nëse kjo vazhdon, do të jetë vështirë të udhëhiqen bisedime mes dy vendeve’ deklaroi Petko Dojkov, Zv/ministër i Jashtëm.
Sofja kushtëzon fillimin e negociatave mes vendit dhe BE-së me përfshirjen e kërkesave bullgare në kornizën neogciuese për Maqedoninë. Ndër to heqjen dorë nga pakica maqedonase në Bullgari, harmonizimin e një udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017 dhe respektimin e formulimit për gjuhën sipas kësaj marrëveshjeje.
Anesa Salihu