Kontrolle sigurie për afganët që do të vijnë në vendin tonë

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski thotë se siguria e qytetarëve të Maqedonisë nuk do të rrezikohet në asnjë moment me ardhjen e afganëve që kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe në misionet e huaja.

 “Ekziston procedurë për lëshimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm. Një pjesë e procedurave ka të bëjë me kontrollin e sigurisë përmes Agjencisë nacionale të sigurisë, që shërbimet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë faktorët tonë relevant në lidhje me atë se cilët janë njerëzit që duhet të arrijnë dhe absolutisht secili që paraqet ndonjë rrezik për ne, nuk do ta lejojmë të jetë në territorin e shtetit. Janë vetëm njerëz civilë që kanë punuar në këto organizata”- pohoi Oliver Spasovski- Ministër i Brendshëm.

Afganët do të pranohen dhe akomodohen nëpër hotele. Do të kenë leje qëndrimi të përkohshme prej 90 ditëve.

 “I shqyrtojmë kërkesat që na vijnë. Ne si MPJ i përpunojmë, i dërgojmë në MPB dhe shërbimet për vetingun e përshtatshëm të sigurisë. Për ata që do i konfirmojmë në kuadër të grupit të punës së Qeverisë, më pas Sekretariati i përgjithshëm, shërbimi për punë të përgjithshme të përbashkëta, i bëjnë përgatitjet e nevojshme lidhur me dhomat, hotelet ku do vendosen ata. Pra, në këtë pjesë ne jemi të gatshëm. Por, deri në arritjen e tyre në Shkup, ne nuk kemi kompetenca, përveç lejeve që i lëshojmë për çdo qytetarë veç e veç”- tha BUJAR Osmani.

Ministrat nuk mundën të thonë se kur mund të pritet ardhja e refugjatëve nga Afganistani- kjo, siç thanë ata, varet nga situata në aeroportin në Kabul e cila vazhdimisht po ndryshon. Megjithatë, një pjesë e refugjatëve nga Afganistani që pritet të vijnë në Maqedoni, tashmë kanë dalë nga Afganistani.

Igor Stefanovski

 

LEXO EDHE:

Back to top button