Kontrolle të shtuara nga policia, gjoba për 128 drejtues të motoçikletave

Kontrolle të shtuara nga policia, gjoba për 128 drejtues të motoçikletave

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kontrolle të intensifikuara të policisë nëpër rrugët e Shkupit. Një natë më parë, për vetëm 8 orë, policia ka ndërmarrë masa ndaj 128 pjesëmarrësve në trafik, 94 prej tyre kanë qenë drejtues motoçikletash. Nga policia bëjnë të ditur se gjatë aksionit operativ “Trafik i Sigurt” fokusi është vendosur te drejtuesit e motoçikletave, pasi te kjo kategori vazhdimisht hasen parregullsi gjatë drejtimit të mjeteve të tyre.

“Gjatë kohës së kontrollit janë ndërmarrë masa ndaj 128 pjesëmarrës në trafik, prej të cilëve për 94 drejtues motoçikletash, 16 sanksione për drejtim të motoçikletës pa leje për vozitje, 46 masa për drejtim të motoçikletës pa pajisje mbrojtëse, 17 sanksione për drejtim pa kalim të testit të vozitjes për njohje të rregullave të komunikacionit dhe rregulloreve, 6 masa për drejtim të motoçikletës së kategorisë joadekuate, 5 sanksione për leje të skaduara, 2 për drejtues që nuk i kanë lëshuar këmbësorët të kalojnë në vende të parapara për këmbësorë”, deklaroi Goce Andreevski, MPB.

Nuk janë kursyer as drejtuesit e llojeve të tjera të automjeteve, madje një shofer është privuar nga liria, pasi gjatë kontrollit tek ai është gjetur lëndë narkotike.

“Gjatë kohës së kontrollit në aksionin operativ ‘Trafik i Sigurt’, policët kanë privuar nga liria personin me iniciale D.L, pasi gjatë kontrollit tek ai, është gjetur kokain. Janë sanksionuar edhe drejtues, për drejtim pa patent shoferi, ndërsa janë shqiptuar edhe dy masa për drejtim të automjetit në ndikim të alkoolit dhe një sanksion për mos ndalim gjatë shenjës së dhënë stop, nga ana e zyrtarëve policorë”, tha Goce Andreevski, MPB.

Nga policia thonë se aksioni i kontrolleve të intensifikuara do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Ata bëjnë thirrje që të respektohen rregullat e trafikut rrugor, me qëllim siguri më të madhe. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button