Koordinatorët kombëtarë sërish përplasën pushtetin dhe opozitën
Koordinatorët kombëtarë sërish përplasën pushtetin dhe opozitën
Gazetar: Avni Tahiri
Përderisa Ministria e punëve të brendshme paralajmëron luftë për mbrojtjen e buxhetit nga keqpërdorimet, Qeveria çdo ditë me vendimin e saj emëron koordinatorë për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme. Këto akuza i bëri LSDM-ja në adresë të qeverisë. Socialdemokratët thonë se me emërimet e fundit të koordinatorëve qeveria po bën vjedhje e legalizuar e buxhetit me dhënien e apanazhit mujor në kohë të pacaktuar me mbi 100.000 denarë aktivistëve të merituar të partisë së DPMNE-së si Vllatko Gjorçev, Zaturovska, Pavle Trajanov, Ivica Bocevski e të tjerë.
“A planifikon Qeveria të caktojë një koordinator kombëtar për koordinimin e koordinatorëve? Me vendimet e Qeverisë në këtë mënyrë zbrazet dhe vidhet buxheti për të kënaqur oreksin dhe për të paguar ata që e ndihmuan VMRO-DPMNE-në si parti. Përderisa ministrja e financave Koçovska thotë se natën shkon në zyrat e ministrisë për të fikur dritat për të mos humbur energjinë elektrike, ajo jep pëlqimin për punësimin e personelit partiak”, thonë nga LSDM.
Nga VMRO DPMNE – ja i kundërpërgjigjën opozitës duke thënë se akuzat e LSDM-së ndaj pushtetit aktual vetëm sa konfirmojnë se siç thonë ky grup i mbetur i njerëzve të “Bihaçkës” nuk janë në kontakt me realitetin që lanë pas.
“Ja disa nga koordinatorët më të njohur të LSDM-së: – Venko Filipçe, koordinator nacional për tenderët e turbullt në shëndetësi dhe për zëvendësimin e sistemit shëndetësor. – Bojan Mariçiq, koordinator për byfe, restorante të shtrenjta dhe bluza polo XXL. – Artan Grubi, koordinator për dokumentacionin e tenderit, lojërat e fatit dhe bashkëpunimin valutor. – Slavjanka Petrovska, koordinatore për paraqitje publike dhe blerje të paligjshme të pajisjeve në koordinim me Zeçeviq. – Ljupço Nikollovski, ose shkurt nipi i Zaevit, koordinator për kompanitë transportuese të vëllait të tij dhe për subvencione bujqësore dhe korrupsion IPARD. – Oliver Spasovski, koordinator për blerjen e automjeteve nga distributorët nga Kumanova në vend të importuesve dhe për tenderët për pajisje dhe pasaporta. – Blagoj Boçvarski, koordinator për sjellje pa identitet dhe pagesë të projekteve që nuk kanë filluar kurrë”, deklaruan nga VMRO.
Akuzat nga ana e LSDM-së vinë pak ditë pasi Vllatko Gjorçev është emëruar koordinator nacional për demografi, rini dhe resurse njerëzore, Liliana Zaturoska koordinator nacional për vetëqeverisje lokale, Verçe Micevska e emëruar për sigurinë ushqimore, Pavle Trajanovin koordinator nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, Blerant Ramadanin koordinator kombëtar për aplikimin e teknologjive të reja dhe Sollza Gërçevën si koordinatore nacionale për reformat në arsimin e lartë. /Alsat.mk