Kordallov: Çdo qytetar pëson dëme nga dezinformatat

Kordallov: Çdo qytetar pëson dëme nga dezinformatat

Gazetar: Lluka Andreev

Komunikologu Bojan Kordallov vlerëson se përveç informimit të saktë, institucionet duhet të jenë aktive edhe në luftën kundër lajmeve të rreme. Më herët, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se në vend ka ndikime nga palë të treta, që përhapin dezinformata dhe se Qeveria si mjet në këtë luftë e përdor informacionin e saktë. Kordallov, nga ana tjetër, beson se për luftë efektive duhet të forcohen institucionet, sepse askush nuk do t’i besojë një lajmi të rremë për një institucion të caktuar, nëse ai ofron shërbime cilësore.

“Për institucionet është shumë e rëndësishme që të ofrojnë shërbime publike cilësore, gjë që mungon shumë në Maqedoni dhe është diçka ndaj së cilës ne si vend jemi cak i sulmeve nga lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit. Pse? Sepse nëse e dimë se objektivi kryesor i lajmeve të rreme janë institucionet publike, atëherë ato duhet të kenë shërbime cilësore, me të cilat qytetarët, bizneset dhe organizatat do të jenë të kënaqur”, tha Bojan Kordallov– komunikolog.

Duke komentuar rrezikun që mund ta shkaktojnë lajmet e rreme në lidhje me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të cilën së fundi paralajmëroi presidenti Pendarovski, Kordallov shton se çdo qytetar pëson dëme nga lajmet e rreme, pavarësisht se në cilën sferë shoqërore drejtohen dezinformatat.

“Është në interesin tonë të jemi atje. Është në interesin tonë t’i marrim ato vendime dhe të jemi pjesë e një aleance të fuqishme ushtarake. Nëse mosbesimi ndërtohet më tej në strukturat dhe sistemet e sigurisë, mund të ndodhë që niveli i sigurisë të komprometohet dhe të çojë në pasoja të gjera. Pra, ne duhet të kuptojmë se lajmet e rreme dhe dezinformatat në fund të fundit synojnë secilin prej nesh”, shtoi ai.

Kordallov gjithashtu këshillon institucionet, politikanët, organizatat dhe qytetarët që të jenë të bashkuar në luftën kundër këtyre lajmeve, pavarësisht dallimeve. Ai shton se ky synim duhet të jetë i përbashkët për të gjithë që të fillojë siç thotë ai, rruga e vështirë drejt ndryshimit./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button