“Korrupsioni”, amerikanët zbarkojnë në Shkup për t’i hetuar funksionarët

“Korrupsioni”, amerikanët zbarkojnë në Shkup për t’i hetuar funksionarët

Gazetar: Ardit Ramadani

Pas një sërë kritikash nga faktori ndërkombëtar në lidhje me nivelin e korrupsionit, ambasadorja Amerikane, Angela Ageler paralajmëroi se në vend kanë arritur një ekip i ekspertëve nga Uashingtoni që do të vështrojnë dhe hetojnë në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar aktual dhe të mëhershëm.

“Një ekip nga Uashingtoni është këtu për të vështruar në mënyrë më agresive aktorët e korruptuar të mëhershëm dhe të tashëm, si dhe të konsiderojë të gjitha kundërpërgjigjet e mundshme. Sektorit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut i nevojiten më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, ka shkruar Ambasadorja Amerikane në RMV, Angela Ageler në Twitter.

Sllagjana Taseva nga Transparency International tha se nuk duhet të habitemi me veprimet e ShBA-ve pasi që ata një kohë të gjatë paralajmërojnë aktivitete të tilla kundër korrupsionit në vend.
“Ishte e pritshme që më në fund do të forcohen pritshmëritë që të fillojmë në mënyrë më aktive të ndërmarrim masa që do të jepnin rezultat në luftën kundër korrupsionit për shkak se në këtë mënyrë nuk mund të jemi partner i besueshëm i as si anëtare e NATO as si anëtare apo kandidat për anëtarë në Bashkimin Evropian. Mendoj që ky ishte një mesazh i fortë se tashmë nuk do të besojnë në fjalë por do të shohin se si do të sillemi me aktivitete konkrete për luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Sllagjana Taseva, Transparency International.

Taseva nuk e përjashtoi mundësinë që në listën e zezë Amerikane të futen edhe persona tjerë nga vendi, shtoi se ditëve në vijim ShBA-të do të kërkojnë zbardhjen e disa rasteve kruciale për drejtësinë.
“Asgjë nuk përjashtohet, mund të shtohen por jo vetëm politikanë sepse në atë listë nuk janë vetëm politikanë, mund të jenë edhe persona tjerë për të cilët ekzistojnë dyshime se janë marrë me aktivitete korruptive. Megjithatë atë që e pres është se shumë shpejt do të marrim një listë me raste të cilat do të duhet të zbardhen në qoftë se duam të vazhdojmë më tutje dhe t’i bindim të tjerët se do të sundojë e drejta dhe se ata që kanë qenë të përfshirë në raste korruptive nuk do të mund të emërohen në funksione politike”, tha Sllagjana Taseva, Transparency International.

Maqedonia e Veriut ditëve të fundit ka qenë cak e kritikave të ndërkombëtarëve për nivelin e korrupsionit në vend. Ageler u shpreh ashpër për mënyrën e përzgjedhjes së Islam Abazit në krye të prokurorisë më të fuqishme në vend. Ambasadadori i BE-së, David Geer kritikoi pajisjen e Onisçenkos me shtetësinë maqedonase ndërsa ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në vend, Anke Holstein, tha se rruga e vendit drejt BE-së do të varet edhe nga ajo se sa do të luftohet korrupsioni.

Ndryshe, në listes së zezë amerikane së fundmi ju shtua edhe emri i Nikola Gruevskit dhe Sasho Mijalkov. Në këtë listë janë figura të njohura të vendit si Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Ljube Boshkovski dhe tjerë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button