Korrupsioni dhe pasiguria politike frikëson kompanitë gjermane

Korrupsioni dhe pasiguria politike frikëson kompanitë gjermane

Gazetar: Adnan Qaili

Kompanitë gjermane, të cilat kanë investuar në Maqedoni nuk kanë dhënë vlerësime të mira për kushtet e biznesit në vend. Në anketën e realizuar nga “AHK” pjesë e Odës gjermane ekonomike në Shkup, 46% e investitorëve kanë deklaruar se perspektiva për të zhvilluar biznes këtu është më e keqe se vitin e kaluar. Situata jo stabile politike, krimi i organizuar dhe korrupsioni, mungesa e fuqisë punëtore, burokracia në administratë, shtrenjtimi i energjisë elektrike, pasiguria juridike, janë disa nga faktorët që kanë zhgënjyer investitorët gjermanë në vend. Përfaqësuesja e kësaj Ode, thotë se nëse këto kushte përmirësohen, do të rritet edhe më tepër interesimi gjermanëve për të investuar në sektorin e automobilistikes, energjetikës, ndërtimtarisë, metalurgjisë dhe veprimeve ri përpunuese. Por, disa nga kompanitë nënkontraktuese nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe nuk i paguajnë mjaftueshëm turnin e tretë dhe orët shtesë.

“Në kuadër ti Ligjit të ri për marrëdhënie pune, duhet të plotësohen obligimet e zinxhirit të porositësve. Kompanitë gjermane duhet të garantojnë edhe për kontraktuesit e tyre ti plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme, pavarësisht a kanë të bëjnë me fuqinë punëtore apo me ruajtjen e ambientit jetësor. Por, duhet të bëhen verifikime edhe në vendngjarje sepse kjo është përgjegjësi që nuk duhet të përsëritet”, deklaroi Antje Vandelt, Oda Gjermane Ekonomike në Maqedoni.

Ushtruesi detyrës së Ambasadorit gjerman në Shkup Oto Graf, tha se është shtuar dukshëm interesimi i shtetasve maqedonas për viza pune në Gjermani. Ai tha se krahasuar me vitin e kaluar ka numër të madh të atyre që presin terminë për viza. Graf theksoi arsyen përse të fuqia punëtore zgjedh të vij në Gjermani të punoj dhe jetoj përpara se të aplikoj në kompanitë gjermane që janë në Maqedoni.

“Sa i përket vizave, shtetasit e Maqedonisë siç vlen edhe për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, ka një rregullativë të posaçme që jo vetëm kuadro të kualifikuar pune mund të shkojnë në Gjermani, por gjithë ata që gjejnë vend pune. Kërkesat si këtu edhe nga vendet e rajonit janë të mëdha, por ka nevojë edhe më të madhe në tregun gjerman të punës. Vlerësoj se pagat nuk janë arsyeja e vetme që emigrojnë, por edhe ardhmëria e familjes, cilësia e arsimimit për fëmijët e tyre, andaj shumë njerëz e shohin ardhmërinë në perëndim. Çështja tjetër është sigurimi shëndetësor, nëse shfaqet ndonjë sëmundje më e komplikuar, këtu rrethanat nuk janë në nivel të duhur”, u shpreh Oto Graf, U.D. Ambasador i Gjermanisë në Shkup.

Që nga 2017 Oda gjermane në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit trajnon nxënës për mekatronikë në 7 shkolla profesionale të Ohrit, Manastirit, Prilepit, Kavadarit, Velesit, Tetovë dhe Kumanovë, të cilat janë të lidhura me 15 kompani partnere që sigurojnë praktikën e 420 nxënësve, sivjet punësuan 135 nxënës.
Në Maqedoni veprojnë më shumë se 200 kompani me kapital gjerman, të cilat kanë të punësuar mbi 20 mijë persona. Këmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë dhe Gjermanisë vjet ishte 4,8 miliard euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button