Korrupsioni, Pandovski: Maqedonia e Veriut përparon për 4 pozita

Korrupsioni, Pandovski: Maqedonia e Veriut përparon për 4 pozita

Gazetare: Fatlume Dervishi

Vendi ndan vendin e 84 në renditjen e Indeksit Global të Perceptimit të Korrupsionit 2025 me fqinjët Bullgarinë, Hungarinë, Burkina Faso, Kubën, Gujanë dhe Tanzaninë, të publikuar nga “Transparency International”. Krahasuar me vitin 2024, kur renditej i 88-ti, vendi ka përparuar me katër pozicione.

Kreu i “Transparency International Macedonia”, Blagoja Pandovski, thotë se vendi nuk ka bërë përparim të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit, por ka një konstante si pikënisje nga e cila gjërat duhet të fillojnë të përmirësohen. Megjithatë, kërcimi prej katër vendesh në renditje krahasuar me vitin 2024, siç thotë ai, tregon se vitin e kaluar kemi bërë më mirë se katër vende të tjera në luftën kundër korrupsionit.

Pandovski thotë se problemet kryesore sistemike mbeten reformat e pasuksesshme dhe të papërfunduara në gjyqësor dhe prokurori. Përveç kësaj, siç pohon ai, ngjarjet që lidhen me ish-kryetaren e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska, e cila është e akuzuar në rastin “Aditivët”, kanë dëmtuar seriozisht besimin e publikut në institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit.

“Gjithashtu shqetësues është procesi jotransparent i hartimit të ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe përmbajtja e tyre, të cilat jo vetëm që nuk kontribuan në forcimin e kornizës antikorrupsion, por në segmente të caktuara e dobësuan atë. Gjithashtu, Ligji i ri për informatorët ende nuk është miratuar, si dhe ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, disa nga ligjet më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Këto rezultate dërgojnë një mesazh të qartë, pa vullnet të vërtetë politik, procese transparente dhe institucione të përgjegjshme, Maqedonia e Veriut do të mbetet e bllokuar në stagnim”, deklaroi Blagoja Pandovski, Presidenti i “Transparency International Macedonia”.

Danimarka renditet përsëri e para në Indeksin Global të Perceptimit të Korrupsionit 2025 me një rezultat prej 89 pikësh. Pas saj vjen Finlanda me 88 pikë, Singapori me 84 pikë, Zelanda e Re dhe Norvegjia me 81 pikë, dhe Suedia dhe Zvicra me 80 pikë. Në fund të listës janë Sudani i Jugut, Somalija, Venezuela, Jemeni, Libija, etj. /Alsat.mk

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button