Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat, zbatimi nis nga dy tetori
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat. Marrëveshja e cila përmban tri pika parasheh që njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitetin.
Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet – tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Nga ana tjetër marrëveshjen e arritur, presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka quajtur si fitore për serbët. Ai ka thënë se është gjë e mirë që Njësia Speciale e Kosovës, apo e shqiptarëve siç e ka quajtur ai, do të tërhiqet dhe ka shtuar se një aksion i tillë në të ardhmen do të hasë në rezistencë edhe më të fortë të popullatës serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe tha se arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.
Lajm i mirë nga Brukseli – një shembull sesi riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar – shkroi ai në Twitter.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka mirëpritur lajmin e arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ky është zhvillim tejet pozitiv pas takimeve të mia me PresidentinVuçiq dhe Kryeministrin Kurti. Kjo është e mirë për mbarë rajonin. Tani dialogu duhet të vazhdojë – ka shkruar der Leyen.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.
Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve – tha Borrell.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet. Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Shkëlzen Aqifi








