Kosova dhe Serbia drejt marrëveshjes finale?!

Kosova dhe Serbia drejt marrëveshjes finale?!

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti tha se kanë diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë. Ai tha se finalizimi i këtij procesi duhet të bëhet me vulën e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja do të duhej të nënshkruhej në Uashington. Haradinaj bëri thirrje për qasje serioze në këtë fazë të dialogut.

“E diskutuam procesin, e diskutuam vetë marrëveshjen, diskutuam për sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Mund të them se ishte takim me përmbajtje, sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale, Kosovë-Serbi. Duhet ta ketë vulën e Amerikës, jo vetëm mbështetjen e Amerikës. Për të qenë ky proces në garanci të plota, duhet të nënshkruhet edhe nga niveli i njëjtë amerikan”, tha Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

Haradinaj nuk u është përgjigjur nëse në takim është diskutuar për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Nga ana tjetër Aleksandar Vuçiq tha se Serbia nuk i refuzon bisedimet me Kosovën, por se ajo që ka parë nga propozimi franko-gjerman, është “shumë e vështirë për Serbinë”.

“Nëse do të duhej të merrja vendim në këtë moment… ata nuk na dhanë mundësi. Shpresoj që në dokumentin e ardhshëm, të paktën të na japin një mundësi”, tha Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë.

Vuçiç nuk sqaroi se çfarë dokumenti pritet. Ai tha se shpreson se versioni që do të marrë nga përfaqësuesit e vendeve të Quint-it të jetë ndryshe nga ai i publikuar në mediat në Kosovë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, i dërguari i posaçëm i Uashingtonit Gabriel Escobar, tha se dyja vendet janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se ka dëgjuar nga kolegët evropianë se bëhet fjalë për “çështje javësh dhe jo vitesh”. Duke komentuar këtë deklaratë, Vuçiç tha se këtë e ka dëgjuar në shumë biseda, por se nuk mendon se është reale, sepse, sipas tij, Prishtina duhet ta përmbushë atë që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit: ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të vitit 2015, ka konstatuar se disa konkluzione në të, janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen përmes një statuti. Udhëheqësit e tanishëm në Kosovë insistojnë se asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte i dëmshëm për vendin. Në Kosovë thonë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të duhet të përfshijë njohjen reciproke, por në Serbi, tash për tash, e kundërshtojnë një gjë të tillë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button