Kosova s’ka të dhëna se kush duhet ta marrë vaksinën

Kryetari i Federatës së Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla dyshon se vaksinimi i qytetarëve, kurdo që të arrijë vaksina kundër sëmundjes COVID-19, nuk do mund të realizohet në mënyrë të drejtë, sidomos kur është fjala për personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Syla thotë se Kosova nuk ka statistika të detajuara shëndetësore, pasi që mungon funksionimi i duhur i Sistemit Informativ Shëndetësor, në mënyrë që të bëhet e ditur se cilat janë grupet e rrezikuara.

“Mund të ketë keqpërdorime sepse dikush mund të vaksinohet pa pasur sëmundje kronike apo pa qenë në grupin e rrezikshmërisë dhe kjo mund të sjellë problem në të ardhmen. Prandaj, unë konsideroj se pas krijimit të qeverisë së re, ministria duhet të jetë shumë e shpejtë dhe vigjilente që të veprojë dhe të përcaktojë këto grupe”, tha Syla.

Sistemi i Informimit Shëndetësor është sistem i cili bënë gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.

Edhe infektologu Ilir Tolaj, në një takim të organizuar nga organizata Demokracia në Zhvillim (D4D), tha se Kosova nuk ka të regjistruar as personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike, por as ata që kanë kaluar sëmundjen COVID-19. Në bazë të mungesës së regjistrit, ai tha se përparësi në vaksinim “do kenë të fuqishmit dhe jo nevojtarët”.

“Në bazë të mungesës së të dhënave nuk po e shoh se në çfarë baze do të bëhet distribuimi i vaksinave nëpër komuna, pos mënyrës arbitrare. Kjo mënyrë shkakton pakënaqësi dhe mundësi të abuzimit. Kështu si çdo herë, në vendet me demokraci e ekonomi të pazhvilluar e sistem publik shëndetësor të politizuar, e të nëpërkëmbur, përparësi do të kenë më të fuqishmit dhe jo nevojtarët. Improvizimi do të jetë shenja njohëse e këtij aktiviteti shëndetësor”, tha Tolaj.

LEXO EDHE:

Back to top button