Kosovë, nis pagesat e dhjetë përqindëshit
Fondi i Kursimeve Pensionale ka njoftuar se të hënën fillon ekzekutimi i pagesave për qytetarët që kanë aplikuar për tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale.
Pagesat, sipas njoftimit do të realizohen për aplikimet e bëra më 11 dhjetor 2020.
“Pas dërgimit të mjeteve në banka, presim që pagesat të dalin në llogari të përfituesve brenda 24 orëve. Për informim, më 11 dhjetor kanë aplikuar 219,729 kontribuues dhe për ta do të shpaguhen rreth 112.2 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Trustit.
Për personat që kanë aplikuar nga data 12 deri më 17 dhjetor, pagesat do të realizohen të martën (22 dhjetor).
“Edhe ato presim të dalin në llogari brenda 24 orëve të tjera. Këtu përfitues janë 137,543 kontribuues me rreth 58.3 milionë euro. Shuma totale e aplikimeve në 7-ditëshin e parë, prej 170.5 milionë euro, është e përbërë nga: kontributet në masën 137.7 milionë euro dhe fitimet nga investimet në vlerë 32.8 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.
Aplikimi online do të zgjasë katër muaj.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.