Kosovë, opozita me qëndrime të ndryshme për zgjedhjet e parakohshme

Kosovë, opozita me qëndrime të ndryshme për zgjedhjet e parakohshme

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk pritet të gjejnë gjuhë të përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në partinë më të madhe opozitare, PDK, thonë se shpërndarja e Kuvendit është zgjidhja më e mundshme në rrethanat aktuale politike, ndërkaq LDK dhe AAK këmbëngulin se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin vetëm përmes dorëheqjes apo shkarkimit të qeverisë Kurti. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë për KosovaPress se do të vazhojnë përpjekjet për të bindur LDK-në dhe AAK-në që të mbështesin idenë e shpërndarjes së Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ajo thekson se nuk kanë shtiza për opozitën, por synojnë të unifikohen për ta dërguar vendin sa më shpejtë në zgjedhje.

“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para se të takohet me kryeministrin Kurti është takuar edhe me kryetarin e LDK-së dhe AAK-së. Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe kjo do të jetë një agjendë e jona e përbashkët, pasi ne të gjithë po pajtohemi se kjo qeveri është e gabuar dhe vendi nuk është në drejtimin e duhur. Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit”, tha Vlora Çitaku, PDK.

Mirëpo, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thekson se në zgjedhje të parakohshme shkohet vetëm nëse Kurti jep dorëheqje apo shkarkohet.

Ajo nënvizon se deputetët e partisë së Lumir Abdixhikut nuk do të votojnë për një gjë të tillë në Kuvend.

“Ne presim dorëheqjen e kryeministrit Kurti, pastaj të shkohet në zgjedhje. Nuk votojmë dhe nuk bëjmë pazare me asnjë parti politike. Kryeministri Kurti duhet të jap dorëheqje për atë që i ka bërë Kosovës. Është prishur me të gjithë aleatët ndërkombëtarë, keni pa edhe me ata të rajonit që s’ka asnjë koordinim. Presim që sa më shpejtë të jep dorëheqje. Ju e dini që Kosova 24 vjet pas luftës ka masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian”, tha Rrezarta Krasniqi, LDK.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se megjithëse janë në opozitë kanë qëndrime të ndryshme politike me PDK-në dhe LDK-në.

“Secila jemi parti në veti dhe kemi rezonojmë në formën që ne dëshirojmë me pas. Aleanca ka qenë e para që ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë dhe jo shpërndarjen e Kuvendit. Ne ende qëndrojmë në atë. Nuk është e drejtë që të shpërndahet Kuvendi, ndërkaq të ngelet qeveria e cila ka performancën më të keqe të mundshme dhe që i ka sjell dëme më të mëdha Kosovës”, theksoi Time Kadriaj.

Në LVV kanë potencuar vazhdimisht se kërkesën për shpërndarje të Kuvendit e përkrahin vetëm nëse është e përbashkët nga PDK, LDK dhe AAK./Kosovapress

 

LEXO EDHE:

Back to top button