Kosovë, pllakë përkujtimore për 21 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës

Në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, u përurua pllaka përkujtimore për zyrtarët policorë të rënë në kryerje të detyrës “Heronjtë e Kosovës”.

Në një ceremoni ku morën pjesë udhëheqës të institucioneve të larta të Kosovës dhe familjarë të policëve të rënë në detyrë, u tha se Policia e Kosovës për vite me radhë po e dëshmon rolin e saj si polici demokratike, e cila për këto vite është zhvilluar dhe avancuar në aspektin profesional, logjistik dhe atë të burimeve njerëzore.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka përmendur emrat e 21 policëve, të cilët, siç tha ai, nuk kursyen as jetën për t’i shërbyer sigurisë së Kosovës.

Emrat e policëve: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Sllavisha Millovanoviq, Misin Krasniqi, Enver Zymberi, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malësor Dashi, Izet Demaj dhe Sami Thaqi, u zbuluan nën mbishkrimin “Në nderim të policëve të rënë në krye të detyrës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është nder dhe krenari që në dhjetëvjetorin e rënies së policit Enver Zymberi po merr pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore në nderim të policëve.

“Ata ranë duke luftuar krimin, duke mbrojtur viktimat e dhunës në familje e duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës tonë. Policia e Kosovës është institucion i dalë nga lufta jonë çlirimtare, rrënjët e saj ashtu si ato të ushtrisë tonë gjendet tek lufta çlirimtare dhe tek lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Në vitet e pasluftës Policia e Kosovës ka qenë një prej institucioneve më të rëndësishme për vendosjen e ligjshmërisë pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi”, tha Kurti.

Kryeministri kosovar tha se gratë dhe burrat që i bashkohen Policisë së Kosovës karakterizohen nga ideali që ata kanë për ta bërë Kosovën një vend më të sigurt dhe më të mirë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se më 11 shtator të vitit 2001 ka rënë pjesëtari i parë i policisë gjatë kryerjes së detyrës, Lazim Rexhepi.

Mehmeti tha se kjo rënie u shndërrua në motiv për të punuar edhe më shumë për ofrimin e sigurisë.

“Deri më tani në kryerje të detyrës kanë rënë 21 zyrtarë policorë në luftë për rend dhe ligj, për siguri dhe jetë më të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës duke u shndërruar në një model se si duhet të mbrohet vendi. Të nderuar familjarë të policëve të rënë në detyrë, ne ju jemi përjetësisht mirënjohës juve që na keni dhuruar djem dhe vajza të cilat janë nder dhe krenari për Policinë e Kosovës dhe gjithë vendin”, tha Mehmeti.

Policia e Kosovës u themelua në shtator të vitit 1999. Ajo numëron aktualisht gjithsej 8.200 zyrtarë policorë. Po kështu, Policia e Kosovës për disa vite me radhë nga anketat me qytetarë është zgjedhur si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.

LEXO EDHE:

Back to top button