Kosovë, reagime për aktakuzat e speciales

Pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë reaguar autoritetet në Kosovë dhe rajon. Qeveria e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se po i përcjell zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë duke kërkuar respektimin e prezumimi të pafajësisë së çdo një të akuzuari.

Ndaj zhvillimeve ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka kërkuar unitet kombëtar dhe mbështetje e pa rezervë ndaj ish anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në mbledhjen urgjente të AAK-së, është kërkuar ndërprerja e menjëhershme e dialogut me Serbinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është përmbajtur vetëm reagimit për akuzën ndaj shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi. Kurti ka theksuar se Gjykata Speciale mund ta gjykoj Rexhën, por e ardhmja dhe historia do të gjykojë këtë gjykatë speciale.

Ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili dorëheqjen e Thaçit e ka vlerësuar si akt që dëshmon pafajësinë, duke kërkuar bashkëpunim dhe unitet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se presidenti Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij meritojnë mbështetjen dhe solidaritetin e Shqipërisë, duke e cilësuar si proces absurd akuzën ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi do të dalin faqebardhë nga kjo betejë, ashtu siç dolën faqebardhë me luftën dhe pavarësinë.

Ka reaguar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti njëkohësisht i ftuar i Dhomave të Specializuara në cilësinë e dëshmitarit muaj më parë. Ahmeti ka deklaruar se pret nga të akuzuarit ta dëshmojnë pastërtinë dhe luftën e drejtë të UÇK-së. Ndërkohë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka shkruar se sfida në Gjykatën Speciale do të dëshmon prirjen për liri dhe shtet.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button