Kosovë, shënohet 25 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Kosovë, shënohet 25 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, kushtuar sakrificës së familjes Jashari dhe epopesë së UÇK-së, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se ngjarjet e marsit të vitit 1998 përbëjnë jo vetëm kujtesën për historinë më të re të Kosovës por edhe një ndër shtyllat më të forta që u ngrit shteti i Kosovës

“Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimi të vajzave dhe djemve të UCK-së, të cilët përgjatë tri ditëve të betejës në Prekaz, në një përballje heroike me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, fituan përjetësinë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se rezistenca e familjes Jashari dhe komandanti legjendar Adem Jashari janë themeltarë dhe të përjetshëm për historinë e Kosovës.

“Në historinë e UÇK-së dhe Kosovës rezistenca e Jasharajve të Prekazit dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore dhe të tilla do të mbeten përjetë….Rezistenca e Jasharajve në 5, 6 dhe 7 mars nuk është edhe një degë më shumë në pemën rrënjthellë të historisë modern të Kosovës, por ajo është vetë trungu i pemës së kësaj historie”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt, jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.

“Lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë e Kosovës por edhe në historinë botërore. Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baca Shaban, e deri tek Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë”, theksoi Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet e luftës për kauzën kombëtare.

“Pa UÇK-në nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet”, u shpreh Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në historinë e popullit të Kosovës, nuk ka asnjë ngjarje tjetër “që arrin të ofrojë dhembshurinë dhe krenarinë, në të njëjtën kohë”.

“Qëndresa juaj atëherë ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja juaj sot si familje, me breza të rinj e pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë në rrugën përpara”, nënvizoi Lumir Abdixhiku, Kryetar i PDK-së.

Rifat Jashari vëllai i komandantit legjendar Adem Jasharit, iu drejtua deputetëve me një porosi.

“Këtu është kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit, të ardhmen e shtetit, u kisha preferuar që të jeni të një gjuhe, të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara, të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi me të tjerat”, u shpreh Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.

Paraprakisht krerët e shtetit, liderë të partive politike dhe qytetarë vizituan kompleksin e Jasharajve në Prekaz duke bërë homazhe tek varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe anëtarë të tjerë të familjes Jashari. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button