Kosovë, sot mbahet takimi për Asociacionin

Kosovë, sot mbahet takimi për Asociacionin

Me ftesë të Ambasadës amerikane në Prishtinë sot do të mbahet takimi në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njofton KosovaPress.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë mbrëmë se Zyra e presidentes Vjosa Osmani dhe ajo e kryeministrit Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutim.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ambasadës amerikane, Katherine Judd, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Pjesëmarrjen në këtë takim e konfirmuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se do të dërgojnë përfaqësuesin e tyre në kuadër të këtij takimi.

“Normalisht që do të marrë pjesë. Ne jemi parti opozitare, çështjeve duhet tu jap drejtim Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndërsa LDK, në një komunikatë për media ka thënë se në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.

Kujtojmë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka ngjallur debat të madh. Dje, diplomatët amerikanë Derek Chollet dhe Gabriel Escobar kanë përsëritur edhe njëherë domosdoshmërinë e formimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Kjo nxiti reagimet e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thanë se “Zajednica nuk kalon”.

LEXO EDHE:

Back to top button