Kosovë, zero raste të vdekjes dhe 159 raste të reja me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 159 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.

Shifrat e reja dalin pas testimit të 1,245 monstrave, që përbën shifrën më të lartë të testimeve të kryera brenda një dite në Kosovë, që prej fillimit të pandemisë.

IKSHPK thotë se në 24-orëshin e fundit nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me koronavirus.

Që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para në Kosovë – e deri më 22 tetor, IKSHPK-ja ka regjistruar 17,422 raste me koronavirus.

Prej tyre, 657 pacientë kanë vdekur dhe 14,894 janë shëruar.

Raste aktive vazhdojnë të jenë 1,871.

Ndërkaq, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SSHKUK) njoftoi se në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në Spitalet rajonale janë të shtrirë 222 pacientë, ku 137 prej tyre janë të konfirmuar me koronavirus.

Sipas raportit ditor të këtij Shërbimi, 139 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi, një është në gjendje më të rëndë dhe është vendosur në respirator, ndërkaq, 20 pacientë janë vendosur në makinën e frymëmarrjes së njohur me shkurtesën CPAP.

LEXO EDHE:

Back to top button