Kovaçevski do t’ia thotë VMRO-së planin për ndryshimin e Kushtetutës

Kovaçevski do t'iа thotë VMRO-së planin për ndryshimin e Kushtetutës

Gazetar: Lluka Andreev

Ne përballemi me vendimin nëse jemi për Evropën, apo për izolim, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Moldavi. Ai tha se pas mesazheve të të presidentes së KE-së Ursula von der Leyen, dhe presidentit francez Emmanuel Macron, për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duhet të jetë e qartë për të gjithë në vend se nuk do të ketë kornizë të re negociuese dhe jemi përballë vendimit për ti futur popujt në Kushtetutë. Ai informoi se propozim-amendamentet tani janë në Ministrinë e Drejtësisë dhe sapo të miratohen në një seancë qeveritare do të dërgohen në Kuvend.

“Para kësaj, do të kem një takim me kryetarin e partisë më të madhe opozitare VMRO- DPMNE dhe ekipin e kësaj partie, ku do të ndajmë planin dhe kështu besoj se kemi kapacitetin, siç e kemi pasur, për të marrë vendime të tilla që do të sigurojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski përsëriti se ndryshimet kushtetuese nuk do të kalojnë në Kuvend, dhe sugjeroi që Kovaçevski të bisedojë me të për periudhën që do të pasojë, siç tha ai, pas dështimit të këtij procesi. Sipas Mickoskit, sapo ndryshimet kushtetuese të dështojnë, do të ishte e logjikshme që kryeministri të jepte dorëheqjen.

“VMRO-DPMNE, grupi ynë, nuk do t ‘i mbështesë ata dhe çfarë të bëjmë më pas? Mendoj se duhet të flasim edhe për këtë, por le të presim dhe të shohim se cili do të jetë formati, ku do të jetë vendi, koha, dita. Praktikisht nuk kemi asgjë tjetër përveç deklaratave të Dimitar Kovaçevskit në publik”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski nuk zbuloi se cili ishte plani i partisë pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese, megjithëse partia më parë kishte thënë se ishte e mundur të diskutohej përsëri një kornizë e re negociuese me Brukselin. Megjithatë, një sërë udhëheqësish evropianë kanë theksuar deri tani se nuk ka mundësi të ndryshojnë kriteret tashmë të pranuara në negociatat për anëtarësimin në BE, midis Shkupit dhe Brukselit. Von der Leyen, pas takimit të djeshëm me Kovaçevskin, bëri thirrje për konsensus politik për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button