Kovaçevski: Do t’i takojmë transportuesit privat / Arsovska e prerë: Nuk kemi për çfarë të bisedojmë

Kovaçevski: Do t’i takojmë transportuesit privat / Arsovska e prerë: Nuk kemi për çfarë të bisedojmë

Gazetar: Mefail Ismaili

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka përshëndetur vendimin e transportuesve privatë për të hequr autobusët nga rruga. Ai tha se edhe pse Qeveria nuk ka kompetenca për transportit, por kjo është përgjegjësi e  Qytetit të Shkupit, ekip i kryeministrit do i ftojë transportuesit privatë në takim për të parë ku qëndron problemi.

“Në periudhën e ardhshme do të organizojmë takim në të cilin, krahas transportuesve privatë do të ftohen edhe përfaqësues të Qytetit të Shkupit dhe NQP-së, për shkak se ata kanë marrëdhënie tregtare me Ndërmarrjen për Qarkullim Publik e cila nuk është në kompetencë të Qeverisë. Dhe të informohemi se për çfarë problemi bëhet fjalë pasi që Qeveria nuk ka informata se çfarë marrëveshje ka mes transportuesve privat dhe NQP-së”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Transportuesit privatë thanë se ende nuk kanë pranuar ftesë nga Qeveria, por se presin që kjo të ndodhë së shpejti. Ndërkohë nga Qyteti i Shkupit janë të prerë se nuk kanë se çfarë bisedojnë me transportuesit privatë.

“Qyteti i Shkupit nuk ka tema për negociata, sidomos kur ato janë nën shantazh. Ajo që kërkohet tani është anulimi i vendimit për prishjen e kontratës e cila është shkëputur për shkak të shkeljes së dispozitave të kontratës nga “Sloboda Prevoz” dhe “Makeekspres”. Qyteti i Shkupit ka ngritur padi kundër “Sloboda Prevoz” dhe “Makekspress” për shkak të dëmit ekonomik të shkaktuar në buxhetin e Qytetit të Shkupit dhe mosrespektimit të dispozitave të kontratës, që ka sjellë ndërprerjen e saj”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Nga Qyteti i Shkupit nuk japin detaje se sa kandidatë janë paraqitur në Konkursin për transport në disa linja të kryeqytetit. Ata thonë se thirrja publike zgjat 30 ditë dhe ka interes./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button