Për shkak të borxhit “H.M.-Transporti” mbetën pa rrymë

Për shkak të borxhit “H.M.-Transporti” mbetën pa rrymë

Gazetar: Ile Petrevski

Për shkak të borxhit për energjinë elektrike prej 6.5 milionë euro, për disa orë Hekurudhës së Maqedonisë- Transporti i është ndërprerë rryma nga EVN Maqedoni. Pak më vonë sërish morën rrymë, ndërsa EVN mori premtimin nga autoritetet se me rishpërndarjen e parave nga buxheti do të shlyhet borxhi. EVN për Alsat thotë se nëse kanë garanci të tilla se borxhi do të paguhet edhe për institucionet e tjera shtetërore, nuk do t’ua ndalin rrymën.

“Hekurudhat-Transporti aktualisht nuk ka furnizues të energjisë elektrike dhe drejtpërdrejt merr energji nga sistemi energjetik dhe me këtë shkakton çekuilibrim në sistemin e MEPSO-s”, thonë nga EVN.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, i zemëruar që kompania private që ia ka ndërprerë rrymën Hekurudhës, thotë se nuk ka garanci më të madhe se fjala e Qeverisë. Menjëherë pasi të ketë rishpërndarje të fondeve nga buxheti do të shlyhet borxhi, premtoi Bytyqi.

“Kur kryeministri, zëvendëskryeministri apo ministri i Financave thonë se do t’i paguajnë borxhet EVN-së, kjo mjafton që çdo operator ekonomik të kuptojë se është Qeveria dhe shteti dhe se nuk ka nevojë për ndonjë garanci tjetër”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër i Ekonomisë.

Përveç Hekurudhave, në listën e borxhlinjve që rrezikojnë të shkyçen nga rryma janë edhe Qendra Klinike e Shkupit, burgu i Idrizovës, disa fakultete, konvikte, gjykata, Kopshti Zoologjik dhe një pjesë e mirë e komunave. Paraprakisht, EVN këtyre institucioneve shtetërore u dha 45 ditë afat për të shlyer borxhin e tyre, i cili arrin në 40 milionë euro. Ai është grumbulluar gjatë viteve të fundit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button