Kovaçevski, i vetmi që ka konfirmuar kandidimin për kryetar të LSDM-së

Fatlume Dervishi

Dimitar Kovaçevski edhe më tej mbetet anëtari i vetëm i LSDM-së i cili ka paralajmëruar kandidaturën për kryetar të partisë. Ai nuk e ka dorëzuar akoma zyrtarisht programin e tij. Afati i fundit për kandidaturat është 3 dhjetori. Kovaçevski në intervistë për “Utrinski brifing” thotë se nëse zgjedhet, do të përqendrohet në luftën kundër korrupsionit, menaxhimin e krizës ekonomike dhe shëndetësore dhe integrimin në BE.

“Për momentin jam i përqendruar në programin që dua ta dorëzoj si kandidaturën time. Ne kemi shumë anëtarë të dalluar të cilët mund ta drejtojnë partinë me shumë sukses. Të gjithë duhet të qëndrojnë pas atij i cili do të zgjidhet sepse është dëshmuar se uniteti i partisë është kyç për suksesin në zgjedhje”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Funksionarët më të ekspozuar të partisë një nga një konfirmojnë se nuk do të kandidohen për pasues të Zoran Zaevit. Pas ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski dhe zv/kryeministrit për luftë ndaj korrupsionit Lupço Nikollovskit, edhe ministra e Arsimit dhe ministri i Shëndetësisë konfirmuan se nuk e synojnë pozitën e të parit të socialdemorkatëve.

“Tani jam me kapacitetin e ministres së Arsimit dhe Shkencës. Procedura është e hapur për të gjithë anëtarët dhe në mënyrë transparente kanë mundësi të paraqiten dhe mendoj se i gjithë ai proces do të zhvillohet në mënyrë transparente”, u shpreh Milla Carovska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

“Ministër, a do të dorëzoni kandidaturë për kryetar të LSDM-së?
“Jo. Jo, nuk kam interesim të tillë”, u përgjigj Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Zgjedhjet e brendshme në LSDM do të mbahen më 12 dhjetor. Anëtarët do të kenë të drejtë të paraqiten për të zgjedhur kryetarin që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme. Kryetari i ardhshëm i socialdemokratëve do të jetë edhe mandatar i ardhshëm për kryeministër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button