Fati i koalicionit ASH-AAA varet nga vendimi i Gashit

Aleanca për Shqiptarët pret përfundimin e negociatave mes kryeministrit Zoran Zaev dhe Afrim Gashit për të qartësuar më pas pozicionin e saj me Alternativën me të cilën aktualisht është në koalicion. Nga Aleanca mbeten në qëndrimin e fortë kundër qeverisë aktuale të cilën e fajëson për të gjitha zhvillimet negative në vend. Me këtë Aleanca le për të kuptuar se në rast se Alternativa hyn në qeveri, do të nënkuptonte dhe fundin e koalicionit opozitar me partinë e Gashit.

“Normalisht vektori i veprimit tonë është kundër kësaj qeverie, kundër këtij regjimi, kundër pushtetit të korruptuar, kundër të gjithë fenomeneve devijonte që janë pasojë e qeverisjes aktuale. Pra shumë thjesht, ne jemi të vetëdijshëm pse e kemi marrë përkrahjen e votuesve tonë dhe në mënyrë parimore do të vazhdojmë të veprojmë konformë asaj përkrahje. Veprimet tona varen prej konstulacioneve të reja. Dhe Ne në momentin që flasim kemi një koalicion ekzistues, pra ne nuk e kemi prishur koalicionin. Në momentin që Alternativa vendos diçka tjetër do të shohim si do të rrjedhin punët”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i ASH-së.

Ndërsa nga Lëvizja BESA, deputeti Fadil Zendeli thotë se mbeten në qëndrimin e tyre për vepruar si opozitë.

“Vendosëm që të japim nënshkrim për votëbesim të Qeverisë e nga ai moment, pozicioni jonë, veprimtaria jonë, artikulimi jonë politik është opozitar. Nuk mundet një ditë të jemi kundër një Qeverie, një strukture, të asaj strukture të njëjtë të njerëzve të atyre subjekteve politike dhe ditën e nesërme nëse neve na jepet mundësia të rikthehemi përsëri në atë strukturë, qenka një qeverisje e mirë. Janë çështje parimore, janë çështje serioze mbi bazën e analizave konkrete”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes BESA.

Nga Lëvizja BESA edhe nga Aleanca për Shqiptarët thonë se janë në kontakte të vazhdueshme, por veprimet e tyre në të ardhmen dhe koalicioni i mundshëm opozitar, do të bisedohet pas vendimit përfundimtar të Alternativës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button