Kovaçevski sërish: Zgjedhje parlamentare para vitit 2024 nuk do të ketë

Kovaçevski sërish: Zgjedhje parlamentare para vitit 2024 nuk do të ketë

Gazetar: Adrian Kerimi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i përgjigjet kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. I pari i Qeverisë thotë se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024, shkruan Alsat.

Kovaçevski thotë se derisa opozita këmbëngul për takim në të cilin do të kërkohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, një takim të tillë nuk do të ketë.

“Për momentin nuk kemi nevojë për zgjedhje. Do të ketë por në vitin 2024. Konsideroj se duhet të jemi të gjithë të unifikuar ndaj sfidave me të cilat ballafaqohet shteti. Ky është vit i krizave. Kur Mickoski dhe opozita flasin për unitet, aty ka një problem sepse ata flasin për një të pavërtetë të madhe të cilët VMRO-DPMNE-ja e shfrytëzon për të krijuar tensione nga çdo përparim në negociatat me Bullgarinë, përfshi lajme të rreme dhe deklarata të cilat askush nuk i mbështet në Kuvend”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Lideri i opozitës maqedonase thotë se herët ose vonë zgjedhje do të ketë. Sipas tij, kjo Qeveri e inkriminuar nuk do të ketë fuqi ta çojë deri në fund mandatin.

“Herët ose vonë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe më pas do të ketë përgjegjësi për të gjitha politikat nga të cilat pasojat po i shohin qytetarët e Maqedonisë”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ditë më parë Mickoski tha se kreu i Qeverisë, Kovaçevski e humbi shansin për unitet kombëtar mbi çështjet e hapura me Bullgarinë, duke e akuzuar të njëjtin se në vend që të unifikohet me popullin maqedonas ai bëri koalicion më Bullgarinë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button