Kovaçevski zbuloi se çfarë qeverie do të dëshironte të kishte Bullgaria

Kovaçevski zbuloi se çfarë qeverie do të dëshironte të kishte Bullgaria

Gazetar: Lluka Andreev

Kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkon qeveri të rregullt në Bullgari që do të angazhohet për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kështu ai u përgjigj në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun slloven Robert Golob, i cili pret që qeveria e ardhshme bullgare të ketë mirëkuptim për integrimet e Maqedonisë së Veriut.

“Ne si shtet fqinj dëshirojmë që Bullgaria të zgjedhë qeveri politike, e cila do të jetë e orientuar drejt respektimit qind për qind të parimeve të Bashkimit Evropian, të parimeve të zgjerimit të Unionit, të respektimit të gjithë fqinjëve të saj dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Aktualisht Bullgaria ende nuk ka qeveri, por me çdo qeveri të emëruar do të bisedojmë për domethënien e integrimit evropian. Bullgaria është e vetëdijshme për këtë sot, sepse me të vërtetë dëshiron të hyjë në Shengen. Është vend që është i vetëdijshëm se si është që dikush të të përjashtojë nga procedura kur ke të drejtë për integrim të mëtejshëm evropian”, tha Robert Gollob, kryeministër i Sllovenisë.

E pyetur për ndikimin e qeverisë së re të mundshme bullgare në drejtim të integrimit evropian të vendit, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, u përgjigj:

“Hapi i radhës që presim është që Maqedonia e Veriut t’i miratojë amendamentet kushtetuese, ashtu siç është zotuar për të mbajtur Konferencën e Dytë Ndërqeveritare. Por nuk do të komentoj ndikimin e mundshëm të zgjedhjeve në Bullgari dhe procesit të formimit të qeverisë në lidhje me marrëdhëniet paralele dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Ana Pisonero – Zëdhënëse e KE-së.

Në zgjedhjet e pesta parlamentare në Bullgari brenda dy viteve, GERB i Bojko Borisovit fitoi më shumë vota ndërsa për një për qind më pak vota kishte “Vazhdojmë me ndryshimin” e Kiril Petkovit. Katër parti të tjera siguruan hyrjen në Kuvend, por sytë e opinionit janë përqendruar në mundësinë që Petkovi dhe Borisovi të arrijnë marrëveshje për një qeveri të rregullt politike pro-evropiane./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button