Kremlini: Pas referendumit, sulmet kundër Donbasit do të jenë kundër Rusisë

Kremlini: Pas referendumit, sulmet kundër Donbasit do të jenë kundër Rusisë

Separatistët pro rusë kanë nisur mbajtjen e referendumeve për t’u bashkuar me Rusinë në territoret e pushtuara ukrainase. Rusia kërcënon Kievin se do t’i përgjigjet ashpër nëse tenton të sulmojë rajonet ku po mbahet votimi.Ajo që u paralajmërua nisi të ndodhë në rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.

Prej mëngjesit të së premtes banorët e dy të ashtuquajturave republika popullore të Donjeckut dhe Luganskut në Donbas dhe dy rajonet që kontrollohen nga rusët në jug të Ukrainës nisën të votojnë me qëllim bashkimin e këtyre territoreve me Rusinë.

Votimi do të mbahet nga e premtja deri të martën e javës së ardhshme ndërsa rezultatet paraprake pritet të dalin të mërkurën. Kremlini nuk humbi kohë para se të sqarojë pozicionin e tij, lidhur me referendumet që po mbahen në territoret e pushtuara të Ukrainës.

“Rusia do t’i konsiderojë përpjekjet e Ukrainës për të kthyer Donbasin dhe territoret e tjera si një sulm ndaj territorit tonë,” tha Peskov.

Deklarata e zëdhënësit, Dmitry Peskov, konfirmon planet e Moskës për aneksim të shpejtë të rajoneve të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia, pas kundërofensivës së suksesshme të ushtrisë së Kievit. Peskov pranoi se mes popullsisë ruse pati një reagim histerik lidhur me deklaratën për mobilizim të pjesshëm të presidentit Putin.

Sipas zëdhënësit, reagimi ishte emotiv dhe i kuptueshëm për shkak të mungesës së informacionit. Por siç tha më vonë, gjërat ishin bërë të qarta pas aktivizimit të linjave të nevojshme të informacionit. Kujtojmë se të ashtuquajturat republika të Donjeckut dhe Luganskut u shkëputën nga Ukraina menjëherë pas grushtit të shtetit në Kiev në vitin 2014. Ato u njohën nga Moska si shtetet të pavarura në muajin shkurt të këtij viti./botasot/

LEXO EDHE:

Back to top button