Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Krerët e shtetit të Kosovës kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani me këtë rast tha se është fatkeqësi që ende nuk ka drejtësi për masakrat dhe gjenocidin që Serbia bëri në Kosovë. Për çka shtoi se gjithnjë do të kërkojnë drejtësi, shkruan Alsat.

“Ne jemi këtu për ta kujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin.. Ata u sulmuan në shtëpitë e tyre ku shumica dërmuese e familjarëve që u vranë ishin gra e fëmijë që tregon se kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë për të cilën fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi. Përveç thirrjes sonë për drejtësi ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh se  sakrifica e familjes Jashari tundi gjithë botën dhe lëvizi botën demokratike.

“Është pikërisht ky moment kur sakrifica kthehet në Epope edhe kur i gjithë kombi mobilizohet dhe bëhet UÇK, një moment i cili jo vetëm që e ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë faktikisht e tundi të gjithë botën, e lëvizi botën demokratike dhe e aktivizoi faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejtë”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta nuk mund të tjetërsohen nga mohimet që bëhen.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijën e as nga mohimet që bëhen, gjenocidit i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button