Krerët shtetërorë dhe politikë uruan Pashkën me mesazhe për unitet, solidaritet, paqe dhe respekt të ndërsjellë

Gazetare: Melihate Rrustemi

Pashkët Ortodokse kanë bërë bashkë krerët e shtetit dhe liderët politikë në vend, të cilët përmes mesazheve të tyre kanë bërë thirrje për paqe, solidaritet dhe tejkalim të sfidave. Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, u ka uruar besimtarëve festën e Pashkëve duke e quajtur atë një burim të përjetshëm të shpresës.

“Në kohë trazirash të vështira shoqërore, sprovash të mëdha dhe sfidash të forta morale, duhet të këmbëngulim në virtyte, të bashkuar rreth vlerave të dashurisë për njerëzit, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë,” tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente.

Kryeministri Hristijan Mickoski, krahas urimit për mirëqenie, ka theksuar se festa simbolizon ripërtëritjen, duke dhënë edhe një premtim për stabilitetin e vendit.

“Jam i vetëdijshëm se ekzistojnë pasiguri dhe sfida, por përcaktimi ynë është i qartë: të vazhdojmë me politika të përgjegjshme, ta forcojmë ekonominë, ta mbrojmë standardin jetësor dhe të krijojmë një të ardhme të sigurt për të gjithë,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kryeparlamentari Afrim Gashi ka përcjellë urimet e tij duke vënë theksin te vlerat që na lidhin si shoqëri.

“Në këto ditë festash, kur kremtohen dashuria, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë, konfirmohet edhe një herë rëndësia e vlerave që na lidhin si shoqëri dhe na udhëzojnë drejt përparimit të përbashkët, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka vlerësuar se mesazhi i Pashkëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes për një shoqëri më solidare.

“Kjo festë na thërret për mirësi dhe humanizëm, vlera që janë udhërrëfyes për një shoqëri të drejtë,” u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, u bëri thirrje qytetarëve për forcimin e mirëkuptimit dhe angazhimit të përbashkët për zhvillim.

“Në këto kohë sfidash, më shumë se kurrë kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë,” tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

 

LEXO EDHE:

Back to top button