Qeverisja / Të gjitha përbërjet janë formatuar
Gazetar: Suad Bajrami
Në 20 vitet e fundit në Maqedoni thuajse të gjitha përbërjet qeveritare janë rikonstruuar duke mos i përfshirë qeveritë teknike të cilat kanë qenë ekskluzivisht për organizimin e zgjedhjeve. Rikonstruimi kryesisht është bërë për shkak të performancës së dobët. Pikërisht për këtë vijon procesi i rikonstruimit nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili në pushtet erdhi para dy vitesh duke bërë koalicion me VLEN-in dhe ZNAM-in.
Nëse rikthehemi pas në kohë, në vitin 2016-të Qeveria e Gruevskit u detyrua të bëjë rikonstruim në rrethana të krizës së thellë politike, pas publikimit të bisedave të përgjuara nga lideri i atëhershëm opozitar, Zoran Zaev. Rikonstruimi pësoi pas ngjarjes së armatosur në Lagjen e Trimave, pas çka dhanë dorëheqje ministrat Gordana Jankulloska, Zoran Stavreski, Mile Janakieski, Ivo Ivanovski, por edhe shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov. Në vend të tyre erdhi një ekip i ri me emra si Mitko Çavkov apo Vllado Misajllovski, kurse në DSK erdhi Lupço Andonovski.
Disa muaj më vonë edhe partneri i Gruevskit, Ali Ahmeti i tërhoqi zëvendëskryeministrat dhe ministrat Musa Xhaferi, Fatmir Besimi, Adnan Jashari, Bekim Neziri, Abdilaqim Ademi, Lirim Shabani dhe Nurhan Izairi. Gjithashtu u tërhoqën edhe zëvendësministrat.
BDI në vend tyre solli emra të rinj si Festim Halili, Arbër Ademi, Valdet Xhaferi, Pishtar Lutfiu, Driton Kuçi, Bashkim Ahmeti, Shyhrete Elezi, Bashkim Maksuti, Agim Nuhiu, Faton Pollozhani e Gëzim Beadini. Por nuk shkoi gjatë, meqë në dhjetor u shpallën zgjedhjet, ndërsa VMRO-DPMNE ra nga pushteti, ndërsa LSDM hyri në koalicion me BDI-në dhe Zoran Zaev mori detyrën e kryeministrit. Në këtë rast, BDI i tërhoqi ministrat që i kishte në qeverinë paraprake dhe në vend të tyre i vendosi Hazbi Likën, Bujar Osmanin, Bilen Saliun, Sadulla Durakun dhe Ramiz Merkon.
Plotësisht, në qeveri u përfshi edhe ASH-ja me ministrat, Arben Taravarin dhe Suhejl Fazliun.
Por një vit më vonë, Zaev ndryshoi dy emra, nga Drejtësia largohet Bilen Sali për të ardhur Renata Deskoska, ndërsa BDI merr resorin e Arsimit të cilin ia beson Arbër Ademit. Lëvizja BESA përfaqësohet në Qeveri me ministrin e Kulturës Asaf Ademi, ndërsa PDSH si ministër pa portfol.
Ndërkohë mbahen zgjedhjet në vitin 2020 dhe sërish ka ndryshime në eshalonin e parë. Vjen Artan Grubi si zëvendëskryeministër i parë, Fatmir Besimi në Financa, Osmani në Punët e Jashtme, Kreshnik Bekteshi në Ekonomi dhe Naser Nuredini në Mjedis Jetësor. Me humbjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2021, Zoran Zaev largohet nga politika ndërsa në krye të Qeverisë propozohet Dimitar Kovaçevski, i cili ndryshoi pothuajse të gjitha ministrat.
Por për shkak të performancës së dobët, edhe Kovaçevski detyrohet të bëjë rikonstruim.
Në vitin 2023, ASH-ja futet në Qeveri me figurat e Krenar Llogës në Drejtësi, Fatmir Mexhitit në Shëndetësi e Azir Aliut në Ministri të Shoqërisë Informatike. Me këtë rast i është marrë ministria partnerit të mëhershëm Alternativa, e cila ishte përfaqësuar me Bekim Salin. LSDM sërish rikthen Ministrinë e Drejtësisë me Nikolla Tupançevskin./Alsat.mk.








