Të dhënat e Lidhjes së Sindikatave flasin për ulje të shportës së konsumit për 88 denarë

Gazetar: Avni Tahiri

Një familjeje katër anëtarësh për muajin qershor i janë nevojitur 68.654 denarë për të mbuluar nevojat mujore bazë. Nëse familja katëranëtarëshe jeton me qira në një banesë prej 60 metrash katrorë, shuma e nevojshme për qershorin shkon në 84.024 denarë në muaj. Sipas të dhënave të Lidhjes së Sindikatave, edhe pse shporta minimale sindikale në qershor është më e ulët për 88 denarë krahasuar me majin, ndryshimi është minimal dhe pothuajse i papërfillshëm për buxhetin familjar. Shpenzimi më i madh që zbraz xhepat e qytetarëve vazhdon të jetë për ushqim, për të cilin në qershor janë nevojitur të paktën 25.120 denarë. Përveç kësaj, për shpenzimet si energjia elektrike, uji dhe detyrime të tjera, qytetarëve u është dashur të ndajnë 6.379 denarë në muaj. Të dhënat e Lidhjes së Sindikatave, tregojnë se kostoja e jetesës mbetet një sfidë serioze për një numër të madh familjesh, veçanërisht për ato me të ardhura më të ulëta.

Pikërisht për rritjen e çmimeve, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi për të hënën takim me përfaqësuesit e maketeve dhe gjoba dhjetëfish më të mëdha kundër praktikave të padrejta tregtare.

“Në fillim të krizës kishim një takim të tillë. Tani të hënën do të kemi edhe një takim të tillë në të cilin do të dërgojmë një mesazh të fortë për mënyrën e sjelljes së tyre në treg. Njëkohësisht, ndryshimet ligjore janë drejt përfundimit për miratim, ku gjobat janë rritur dhjetëfish për ato markete që do të sillen në mënyrë të padrejtë. Do të forcojmë edhe inspektimet dhe kontrollet në terren që të identifikojmë kësi lloj sjelljeje dhe njëkohësisht i inkurajoj kompanitë, prodhuesit, që të paraqesin sjellje jo korrekte nga ana e marketëve”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë nisi me pandeminë e COVID-19, kur u ndërprenë zinxhirët globalë të furnizimit dhe u rritën ndjeshëm kostot e transportit dhe prodhimit. Situata u përkeqësua më tej me shpërthimin e luftës në Ukrainë. Më pas, pasiguritë e vazhdueshme gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme. Si rezultat, çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten ose të mbeten në nivele të larta, ndërsa rikthimi në çmimet e mëparshme është bërë i vështirë, pavarësisht stabilizimit të pjesshëm të disa faktorëve globalë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button