Kriza në Klinikën e Fëmijëve: Punonjësit protestojnë, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Nuk shihet ende asnjë zgjidhje për hallin e rreth 50 ish-të punësuarve në Klinikën e Fëmijëve, të cilët prej muajsh kanë mbetur pa paga, pa sigurim shëndetësor dhe tashmë edhe pa kontrata pune. Të revoltuar nga neglizhenca institucionale, ata protestuan sot para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar pagesën e pagave të prapambetura dhe zgjidhjen e statusit të tyre të punës. Samir Nuhiu ish punonjës, tha se përgjigjja negative nga Ministria e Financave ka mbërritur në fund të prillit, me arsyetimin se nuk ka mjete financiare, edhe pse deri atëherë kanë punuar pa ndërprerje. Të punësuarit thonë se nuk do të kthehen në punë pa i marrë fillimisht pagat e papaguara.
“Jemi këtu për të treguar pakënaqësinë tonë që jemi prej muajit janar deri tani pa paga. Javën e kaluar ishim në Ministrinë e Financave, duke protestuar erdh shefja e kabinetit na tha që me problemin e juaj do të merremi intensivisht. Prej të hënën e deri tani nuk kemi asnjë informatë”, tha Samir Nuhiu, ish punonjës
“Spitalet tjera si mund të paguhen? Spitalet tjera i kanë marrë rrogat në dy këste i kanë marrë….3:49 dikush ka vazhduar të punojë, dikush e ka lënë, edhe për momentin ka persona që shkojnë të punojnë”, deklaroi Sedat Bushi, ish punonjës
Ministri i Shëndetësisë edhe një herë përsëriti qëndrimin se pagat sipas ligjit në mënyrë retroaktive nuk mund të paguhen, ndërsa përgjegjësin për situatën e krijuar në këtë klinikë e kaloi tek drejtori i klinikës.
“Për fat të keq këto të punësuar nuk kanë pëlqim pozitiv nga institucionet shtetërore për shkak se drejtorët, rendi është ashtu edhe administrata, që drejtorët të bëjnë kërkesë në MSH dhe më pas ne në Ministrinë e Financave me qëllim që të definohet buxheti për vitin fiskal…Në këtë fakt, në këtë formë që është bërë është dhënë shpresë të personave që kanë qenë brenda pa pasur pëlqim pozitiv nga M.F. Lus haptazi çdo drejtor në institucionet shëndetësore të mos jep premtime pa pasur mbulime administrative dhe mos të bënë shpresa të rrejshme për të punësuarit në shëndetësi” tha ministri i shëndetësisë, Azir Aliu
Drejtori i Klinikës së Fëmijëve Rexhep Memedi në një bisedë të shkurtër telefonike për Alsat tha se nuk iu ka dhënë asnjë shpresë të rrejshme të punësuarve. Ai përsëriti edhe një herë se klinika ka nevojë urgjente për punësimin e këtyre punonjësve dhe se të gjitha procedurat administrative për kërkesën e vazhdimit të kontratave i ka bërë në kohë. /Alsat.mk








