Kryeministri Kovaçevski pret raportin e DAP-së, për borxhin e Qytetit të Shkupit ndaj transportuesve privat

Kryeministri Kovaçevski pret raportin e DAP-së, për borxhin e Qytetit të Shkupit ndaj transportuesve privat

Gazetar: Mefail Ismaili

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se ende nuk e ka marrë raportin nga Drejtoria për të Ardhura Publike, për gjendjen e borxhit që ka Qyteti i Shkupit ndaj transportuesve privat, andaj edhe nuk kanë vendosur datë për takim.

“Raporti ende nuk ka arritur deri në Qeveri, nuk e di se çka ka arritur deri tek transportuesit privatë pasi me rëndësi është që të ketë raport final nga Drejtoria për të ardhurat publike në pajtueshmëri me dispozitat ligjore të cilat vlejnë për kontrollet tatimore”, tha Dimitar Kovaçevsaki, kryeministër.

Dërguam pyetje në Drejtorinë për të Ardhura Publike për të mësuar se deri kur mund t’ia dërgojnë raportin Qeverisë, por nga drejtoria pa përgjigje konkrete, vetëm citojnë ligjin.

“Ne si zyrtarë jemi të detyruar të ruajmë si sekret tatimor të gjitha dokumentet, informacionet, të dhënat apo faktet e tjera për tatimpaguesin që kemi hasur në procedurat tatimore, kundërvajtje apo gjyqësore, ndërsa në procedurat tatimore përfshihet edhe procedurat e kontrollit të jashtëm, zbatimi i të cilave ne jemi në dijeni të informacionit thelbësor/informacionit zyrtar, fakteve, provave që do të çojnë në rezultatin e mëtejshëm të procedurës dhe sipas të cilit parim ne mund të japim/të dorëzojmë  informacion vetëm kur nga DHP kërkohet nga një autoritet kompetent”, thonë nga Drejtoria për të Ardhura Publike.

Pyetëm edhe Ndërmarrjen për Qarkullim Publik nëse do të paguajnë borxhin ndaj transportuesve privat, për të cilin transportuesit thonë se e ka konstatuar edhe vetë Drejtoria e të Ardhurave  Publike. Por nga NQP thonë se nuk mund të japin përgjigje konkrete pasi procedura ende vazhdon pasi përveç DAP-it në këtë çështje janë inkuadruar edhe Policia Financiare dhe revizioni i brendshëm i Qytetit të Shkupit. Por dje transportuesit privat publikuan raportet e Drejtorisë për të Ardhura Publike në të cilin konstatohet se Qyteti i Shkupit dhe NQP u kanë borxh prej rreth 1,5 milionë euro./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button