Kryetari i Parlamentit Slloven propozon referendum për daljen nga NATO

Kryetari i Parlamentit slloven, Zoran Stevanoviç, ka propozuar mbajtjen e një referendumi për anëtarësimin e Sllovenisë në NATO, duke deklaruar se ai mund të organizohet njëkohësisht me zgjedhjet lokale të planifikuara për 15 nëntor.

Në një mesazh video të postuar në profilin zyrtar të partisë Resnica në rrjetin social X, Stevanović tha se, për shkak të kostove të larta, një “mega referendum” mund të mbahet atë ditë përveç referendumeve të shpallura për të shqyrtuar anëtarësimin e vendit në Aleancë.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu kundërshtim ndaj dërgimit të ndihmës financiare në Ukrainë, pasi kryeministri Janez Janša njoftoi në samitin e NATO-s në Ankara se Sllovenia do të ndante 50 milionë dollarë, ose rreth 44 milionë euro, për ndihmë ushtarake për Kievin këtë vit, si pjesë e iniciativës PURL, raportuan mediat rajonale.

“Këta 44 milionë janë shumë më të nevojshëm për Slloveninë në këtë moment. Nëse përpiqemi për paqe, diçka duhet të ndryshojë”, tha Stevanoviç, duke shtuar se lufta në Ukrainë vazhdon pavarësisht ndihmës së ofruar deri më tani.

Deklaratat e tij vijnë pas një samiti të NATO-s, në të cilin udhëheqësit e shteteve anëtare diskutuan mbështetjen e Ukrainës dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në pesë përqind të PBB-së deri në vitin 2035.

Ministri slloven i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Tone Kajzer, tha se NATO është themeli i sigurisë së vendit, ndërsa partia Social Demokrate (SD) e vlerësoi propozimin e Stevanoviçit si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen. 

Pretendimi i Stevanoviçit është që vendi duhet të largohet nga NATO.

 

LEXO EDHE:

Back to top button