Kryeziu: Bandat kriminale nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve

Kryeziu: Bandat kriminale nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu është deklaruar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Për më tepër, Kryeziu ka theksuar se qytetarët kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre dhe se institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre.

“Bandat kriminale mund edhe të mos marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, të martën, në veri të vendit ka pasur të shtëna dhe shpërthime nga strukturat ilegale serbe, ku pritej të bëhej zëvendësimi i zyrtarëve të KQZ-së.

LEXO EDHE:

Back to top button