Kumanovë, ushtria ndërton tenda në afërsi të Klinikës Infektive

Pjesëtarë të ushtrisë janë angazhuar në ngritjen e tendave në oborrin e Klinikës Infektive në Kumanovë. Në kushte të jashtëzakonshme, kur kapacitetet spitalore janë mbushur, në këtë qytet u paraqit nevoja e ngritjes së një hapësire shtesë për shërbimet ambulantore të pacientëve me Covid-19. Aktualisht, të sëmurët në kurim shtëpiak vinë të marrin serumet ditore dhe ekzaminimet e nevojshme në repartin e infektives, andaj krijohen radhë të gjata. Drejtuese e Repartit infektiv në Kumanovë tha se situata me pandeminë ka dal jashtë kontrollit.

 Po pajisemi në njëfarë mënyre të sigurojmë kapacitete shtesë për pacientët që kanë nevojë për spital ditor. Është angazhuar edhe ushtria dhe ndihmon në ngritjen e tendave ku do ti fusim vetëm ata që marrin terapi dhe pastaj shkojnë në kurim shtëpiak. Nëse kjo i plotëson kërkesat do të shohim sipas situatës në vijim, ndonëse javët që lamë pas kanë mbushur përplot raportet tona”-tha Sunçica Josifova, Drejtuese e Repartit infektiv në Kumanovë.

Edhe më alarmante është situata në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Sipas drejtorit të këtij institucioni një laborator i njëjtë përdoret për të gjithë pacientët që bëjnë analiza të gjakut. Ai shpreh shqetësimin se mundësitë e përhapjes së infeksioneve janë të mëdha pasi që kanë vetëm një hapësirë për pacientët pozitiv me CoVid-19 dhe pacientët që bëjnë një pasqyrë të thjeshtë gjaku.

 Kohën e fundit e dimë se pacientët pozitiv me Covid-19 lëvizin lirshëm nëpër qytet dhe kemi raste çdo ditë që vijnë në laborator dhe kërkojnë shërbim tek ne. Këta pacientë nuk kanë faj se nuk kanë hapësira tjera, spitalet janë të spërmbushura, ordinancat private dhe mjekët amë nuk i pranojnë. Vijnë te ne sepse nuk iu japin udhëzime ku ti bëjnë ato analiza, pa të cilat nuk mund të caktojnë terapinë nga specialistët. Këtu kemi pacientë të shëndoshë fëmijë e gra shtatzëna”-pohoi Faruk Alili, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë.

Edhe Klinika e Neurologjisë në Kumanovë e ngritur së fundmi si Covid-qendër është e mbushur përplot, ku në dyja hapësira ka të hospitalizuar mbi 70 pacientë të infektuar me virusin korona.

 Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button