Kurti është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë

Kurti është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë. Kurti tha se dialogu me Serbinë ka hyrë në fazë të re që nga muaji gusht, ndërsa në qendër të negociatave është njohja e pavarësisë së Kosovës.

“Jam shumë më optimistë sepse krahasuar me të kaluarën, ose për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim për ta vonuar procesin, për zvarritje sepse nëse i thoni Serbisë pavarësia do të vijë në fund, ju inkurajoni Serbinë që të shtyjë fundin, mirëpo tani, njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por është në qendër të marrëveshjes”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti mbetet optimist pavarësisht se Presidenti serb Vuçiq një ditë më parë përsëriti se ndërsa ai është president nuk do të njihet pavarësia e Kosovës. Ai tha se për të i papranueshëm është edhe propozimi i Francës dhe Gjermanisë, që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në këmbim të përshpejtohet procesi integrues i Beogradit në BE. Kryeministri i Kosovës përsëriti se nuk ka probleme me popullsinë serbe që jetojnë në Kosovë, por me strukturat paralele që financohen nga Beogradi e që sipas tij janë bërë më agresive pas luftës në Ukrainë.

“Strukturat ilegale të Serbisë, dhe në përgjithësi veteranët e luftës të Serbisë, janë bërë më agresivë gjatë këtij viti që prej pushtimit dhe agresionit ushtarak mbi Ukrainën sepse në përgjithësi të gjitha apo shumica e tyre janë pro-Putinit. Ata e konsiderojnë luftën e Rusisë në Ukrainë si një mundësi për ta. Shumë prej tyre kanë qenë në listën e zezë nga Thesari i SHBA dhe disa prej tyre kanë urdhër arresti nga qeveria jonë, mirëpo asnjëherë nuk vë shenjën e barazimit ndërmjet njerëzve dhe shtetit, as ndërmjet popullatës dhe strukturave, kjo e bën dallimin”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button