Kurti heziton për hapjen e Ambasadës në Jerusalem

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet, Tel Aviv apo Jerusalem do të vendoset Ambasada e Kosovës në Izrael, duke thënë se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Sipas një njoftimi të Vetëvendosjes, këtë deklaratë Kurti e bëri më 1 mars, gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar. Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”.

Ambasada turke në Prishtinë më herët kishte kundërshtuar hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Por, sipas të drejtës diplomatike dhe konsullore, në kuadër të standardit të së drejtës ndërkombëtare publike, përcaktimi i lokacioneve të përfaqësive të huaja diplomatike, është e drejtë ekskluzive kushtetuese dhe sovrane e shtetit që i pranon ato përfaqësi, thotë Enver Hasani, profesor i të Drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë rast as Kosova, si vend që pritet të dërgojë përfaqësinë diplomatike në Izrael, nuk e ka të drejtën për të përcaktuar lokacionin apo vendndodhjen e përfaqësisë së saj diplomatike në këtë vend.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Dokumenti i nënshkruar nga Kosova, parasheh njohjen e ndërsjellë me Izraelin. Ndërkaq, në rastin e Serbisë, zhvendosjen e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Antony Blinken, Sekretar amerikan i Shtetit, më 19 janar, para se të merrte detyrën aktuale, pati deklaruar që e duartroket “punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë”, nga administrata e presidentit Donald Trump.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

LEXO EDHE:

Back to top button