Kurti: I respektoj ligjet dhe Kushtetutën

Një ditë pasi KQZ-ja konfirmoi se 47 kandidatë për deputetë nuk mund të jenë në listë për zgjedhjet e 14 shkurtit, kreu i Vetëvendosjes dhe kandidati i këtij subjekti për kryeministër të Kosovës Albin Kurti tha se lista e partisë së tij mbetet ajo që është dorëzuar dhe se si bartës i listës do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti pat qenë në Kosovë ish ambasadori Grenell për një darkë me ish presidentin, port ai është viti i kaluar. Mendoj se Institucionet e shtetit duhet të updatohen në rrethana të reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto të cilat kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve. Unë jam bartës liste i cili i respekton dhe përfillë me përpikëri kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtët e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, tha Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë një emisioni në Tv Dukagjini deklaroi se moscertifikimi i 47 deputetëve, përfshirë këtu edhe kreun e partisë së tij, Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike.

“Personi i cili në KQZ po ndikon, që edhe kërkesa të jetë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka. Kurrgjë ata nuk po zbatojnë, ata po duan eliminim politik”, tha Konjufca.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë Valdete Daka tha se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheqë, kanë për qëllim që të “pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”. Ajo nuk tregoi se nga cila parti ka pranuar kërcënime.

“Këto deklarata të Dakës vijnë vetëm një ditë pasi KQZ-ja njoftoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku thuhej se 47 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”, pohoi Valdete Daka, Kkryetare e KQZ-së.

Subjektet politike apo kandidatët që nuk certifikohen mund të bëjnë ankesa deri më 31 janar. Në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, për pjesëmarrje kanë kandiduar 28 subjekte politike me 10,080 kandidatë për deputetë.

 

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button