Kurti: Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë

Takimi i parë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç i mbajtur me ndërmjetësim të BE-së në Bruksel, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete. Pas takimit, kryeministri i Kosovës Kurti deklaroi se ka prezantuar katër ide të reja për negociim me Serbinë. Të nënshkruhet marrëveshje e paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën, pas njohjes së ndërsjellët mes dy vendeve të aplikohet parimi i reciprocitetit dypalësh, duke u krijuar në Kosovë Këshill Kombëtar për serbët, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi, ridizajnimin e marrëveshjes së CEFA-s, si dhe çështja e të pagjeturve.

Për çështjen e të pagjeturve të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik (shefi) i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq – deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se tre ide janë refuzuar nga Vuçiç, ndërsa për propozimin për ridizajnimin e Ceftas, pala serbe nuk është përgjigjur. Nga ana tjetër, presidenti Serb Aleksandar Vuçiç, pas takimit tha se me Kurtin nuk kanë rënë dakord për asgjë. Sipas tij pala kosovare është shprehur se nuk pranon marrëveshjet e arritura deri më tani.

Nuk dëshirojnë fare të bisedojnë për Asociacionin e Kosovës. Së dyti, ata kërkuan me urgjencë dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur dhe së treti, ata i quajnë incidente dhe provokime faktin që serbët dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjitë në kishat e tyre, sepse tokat për ato kisha janë dhënë mbase në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviqit – u shpreh Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Ndërkohë emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit, nuk ishte i lehtë. Ai shtoi se të dy vendet nuk kanë rrugë tjetër, përveç dialogut.

Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët të dinë se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ata u dakorduan që të punojnë në normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, nëpërmes dialogut – tha Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së.

Që Kosova dhe Serbia nuk kanë rrugë tjetër përveç dialogut, e tha edhe përfaqësuesi i BE-së për Politika të Jashtme, Joseph Borrell. Ai nënvizoi se nuk duhet të ketë vonesa në këtë proces. Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit, me ndërmjetësim të BE-së, duhet të mbahet deri në fund të muajit korrik, me gjasë më datë 25 korrik.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button