Kurti paralajmëron takim me opozitën për zgjedhjen e presidentit

Në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi takim me opozitën. Paraprakisht ai tha se do të realizojë konsultime të brendshme. Opozita fajëson partinë në pushtet.

Ndërkohë që po rrjedh afati ligjor për çështjen e presidentit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti paralajmëron takim me opozitën por pa dhënë detaje se çfarë ofertash konkrete mund të paraqiten në këto takime. Kurti tha se çështja e postit të presidentit është urgjente, por sipas tij është e rëndësishme që të ketë sukses.

“……nuk besoj që është mirë të jemi vetëm 80 apo 81 deputetë, duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty. Dhe për këtë do të bëjë edhe ftesa e do të zhvillojmë edhe takime……nuk duhet të matemi me përpjekjet që bëjmë por me suksesin që e arrijmë. Në këtë drejtim, çështja është e rëndësisë së lartë, është urgjente por aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese megjithatë na i ka dhënë një periudhë kohore e cila na mundëson jo vetëm të veprojmë shpejt por njëkohësisht edhe të mos bëjmë gabime në mënyrë që të arrijmë aty ku duhet”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Partitë opozitare bënë fajtore partinë e kryeministrit Kurti për moszgjedhjen e presidentit.

Vlora Çitaku, nga PDK tha se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga Kurti.

“Ju e dini që Kosova është pa institucione të kosoliduara dhe pa president, jo për shkak të mungesës së ditëve dhe afateve kohore por për shkak të mungesës së vullnetit politik nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Vlora Çitaku, PDK.

Nga LDK thonë se do të japin maksimumin që të arrihet një zgjidhje për presidentin, por kundërshtojnë që një parti të imponojë një emër nga partia e saj.

“Përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve. Nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi. Nëse jo, Kosova do të shkojë në zgjedhje”, tha Jehona Lushaku Sadriu, LDK.

Nga AAK thonë se është përgjegjësi e Kurtit që t’i japë shtetit një president.

“Ne mendojmë që është përgjegjësia e drejtpërdrejt e kryeministrit Kurti me 66 vota, atëherë edhe tash, t’i japë Kosovës presidenti”, theksoi Besnik Tahiri, AAK.

Më 25 mars, Kushtetuesja vendosi se deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të reja. Për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 deputetë në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota./Alsat.mk.

 

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button