Kurti: Të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë, pasi mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e sintetizohen, gjë që nuk mund të bëhet nga qeveria aktuale e cila nuk mund ta mbrojë e shpëtojë vetveten e lere më dikë tjetër.

Kurti në një konferencë për media, duke folur për paraqitjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit, tha se po paguajmë çmimin e gabimeve, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës është lënë jashtë deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës dhe kjo gjykatë e cila iu sipërvendos shtetit, u pranua të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës.

“Sigurisht që Gjykata Speciale është gjykatë e padrejtë dhe e njëanshëm në raport me UÇK-në si palë ndërluftuese dhe me etninë tonë shqiptare si përkaqësi”, tha ai.

Kurti duke u ndalur te aktakuza e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, tha se prokuroria po gabon kur po thotë se brenda UÇK-së ka pasur një strukturë paralele, të cilën ajo e quan kriminale.

“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë kriminale. UÇK-ja kishte shtabin e përgjithshëm dhe drejtoritë përkatëse, zyrën e përfaqësimit politik, zonat operative, brigadat e batalionet, njësite që i dimë të gjithë e jo aty tash një strukturë paralele siç pretendon prokuroria. Ky lajmi më i ri në Kosovë për një farë LPK-je brenda UÇK-së nuk është e vërtetë”, tha ai.

Sipas Kurtit, në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët dhe shteti i Kosovës duhet ta organizojë e koordinojë mbrojtjen e të pandehurve.

“UÇK ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Me fjalë të tjera kjo është edhe punë qeverie. Kjo është sidomos punë qeverie. Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e sintetizohen. Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme e cila që nga fillimi varej nga secili deputet i listës serbe, e që tash është veçse qeveri e pakicës që po tkurret përditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtojë as vetveten se lere më dikë tjetër. E keni parë se si preokupimi i saj në këtë muaj ishte eliminimi i task-forcës kundërkorrupsin e jo mbrojtja e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale. Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë, e cila nuk na njeh sepse është e pa penduar për krimet e kryera”, tha Kurti.

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button