Kush bëri marrëveshje politike dhe kë e kapi paniku? – Vazhdojnë përplasjet mes partive për Artan Grubin
Kush bëri marrëveshje politike dhe kë e kapi paniku? - Vazhdojnë përplasjet mes partive për Artan Grubin
Gazetare: Ajnur Bafqari
Vazhdojnë përplasjet politike lidhur me kthimin dhe më pas ndryshimin e masës ndaj Artan Grubit. LSDM akuzon për marrëveshje politike mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
“Prokuroria dje njoftoi se MPB-ja e Toshkovskit dhe ASK e Hristovskit kanë dhënë vlerësim se Grubi nuk paska qenë i sigurt në Shutkë, e se për këtë arsye paskan propozuar arrest shtëpiak. Ditën e njëjtë doli drejtori i burgut të Shutkës, Boban Utkovski, i cili e përgënjeshtroi prokurorinë dhe tha se as MPB dhe as ASK-ja nuk janë drejtuar tek burgu as verbalisht e as me shkrim, për të kërkuar mendim për sigurinë. E si paska marrë vendim Prokuroria”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Por VMRO-DPMNE thekson se LSDM ka frikë nga dëshmia e Grubit.
“A është frika e tyre kaq e madhe për shkak të asaj që Grubi mund të thotë në mënyrë shtesë. LSD dhe BDI janë në panik dhe frikë dhe ndryshuan 10 herë tezat që kur u arrestua Grubi?”, u shpreh Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Kthimi i Grubit prej ditësh ka përplasur edhe partitë shqiptare.
“Derisa Artan Grubi sheh televizor në shtëpi, në BDI mbretëron panik nga i pari deri te i fundit. Ata nuk kanë frikë nga masa, por nga pesha e asaj që Grubi e bart me vete. Sepse ai ka qenë aty ku vendosej gjithçka. Aty ku gjërat negocioheshin “nën tavolinë”. Aty ku kalohej pushteti dhe ndaheshin interesat”, thonë nga VLEN.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar proces të drejtë, transparent dhe pa ndikime politike. / Alsat.mk








