Kushte të mjerueshme në Spitalin e Kërçovës

Reagime të shumta në opinion kanë nxitur pamjet e publikuara një ditë më parë në rrjetet sociale ku shihet se si një pacient pranon serum në oborrin e spitalit të Kërçovës. Rastin e ka konfirmuar drejtori i Spitalit. Ai tha se pacientin nuk e kanë futur në hapësirat e spitalit, edhe pse me simptoma të virusit korona, për ta mbrojtur nga pacientët e tjerë me Covid-19 të shtrirë në spital. Videon e publikuar në rrjetet sociale e cilëson si manipulim politik.

Unë nuk do e kisha komentuar videon sepse ka dalë nga ca frustrime politike dhe jo njerëzore. Njeriut që në moment duhet ti ndihmohet ta incizojnë dhe të bëjnë video të tilla nuk do e kisha komentuar. Kushtet i kemi këto që i kemi realisht. Nga Ministria morën rekomandim për ri organizim të hapësirave dhe për momentin pjesën e grave e kemi liruar për të sëmurët nga korona”-tha Stanko Trpeski, Drejtor i Spitalit të Kërçovës.

Por ndryshe nga drejtori, pacientët ankohen se kushtet që kanë në spitalin e Kërçovës nuk janë të mira. Kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë, të kujdeset edhe për shëndetësinë edhe në qytetet e tjera.

“Bazuar në kushtet që ka spitali frikemi. Nuk kemi kushte këtu në Kërçovë, kemi spitalin e ri por nuk është bërë. Duhej para 20 vitesh të lëshohet në përdorim. Gjitha gjërat do i kishim por ja, asnjë qeveri nuk ka punuar për ta lëshuar në përdorim”.

“Qytetet e vogla e kanë shumë vështirë, gjithë të uritur janë në Shkup”.

Lidhur me rastin e një dite më parë në Kërçovë, ku pacienti trajtohej në oborr të spitalit kërkuam qëndrim edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ky dikaster deri më tani, heshtje. Përgjigje nuk ka as për pyetjen nëse Spitali në Kërçovë është i vetmi ku ka mungesë hapësirash për tajtimin e pacientëve të dyshimtë dhe çfarë zgjidhje ofrojnë.

 

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button