Kuvend, filloi debati final për buxhetin e vitit të ardhshëm
Kuvend, filloi debati final për buxhetin e vitit të ardhshëm

Gazetar: Ile Petrevski
Debati për propozim-buxhetin është rikthyer në seancë plenare në Kuvend. Nga diskutimi në komision, deputetët e qeverisë dhe të opozitës ranë dakord për dhjetëra amendamente nga mbi 300 të dorëzuara. Ministri i financave, Fatmir Besimi, sërish siguroi se paratë nga arka e shtetit do të shpenzohen vitin e ardhshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Besimi premton se vitin e ardhshëm investimet do të rriten, inflacioni do të ulet kurse vendi do të ketë rritje më të mirë ekonomike në fund të vitit të ardhshëm.
“Shihet se si reduktohen shpenzimet joproduktive në të ardhurat rrjedhëse, në pjesën e shpenzimeve të udhëtimeve, mëditjet, në pjesën e shërbimeve kontraktuale si dhe në pjesën e mobileve dhe automjeteve”, deklaroi Fatmir Besimi- ministër i financave.
Opozita nuk ra dakord me asnjë fjalë të Besimit. VMRO-ja paralajmëron se vitin e ardhshëm do të ketë gjithnjë e më shumë tatime, qytetarët do të mund të blejnë gjithnjë e më pak produkte me pagat e tyre dhe do të paguajnë më shtrenjtë.
“Sa i përket mënyrës se si do të shpenzohen paratë, qeveria ka miratuar për vete shpenzime prej 5.3 miliardë euro, që është 590 milionë euro më shumë se buxheti i planifikuar për vitin 2022 dhe e bën buxhetin e vitit 2023 deri më tani më represivin, voluminoz dhe më shpërdorues në historinë e Maqedonisë”, u shpreh Bojan Stojanoski VMRO-DPMNE.
Për buxhetin janë planifikuar pesë ditë diskutim. Nëse çdo ditë të javës deputetët debatojnë për këtë pikë, atëherë votimi do të bëhet të premten. /Alsat.mk