Kuvend, hiqen nga rendi i ditës interpelancat për Mariçiqin dhe Nikollovskin

Interpelancat e dorëzuara nga VMRO-DPMNE-ja për zv/kryeministrin Lupço Nikollovski dhe ministrin e Drejtësisë Bojan Mariçiq, nuk do të shqyrtohen nga Kuvendi. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi thotë se kanë skaduar afatet dhe procedurat për vendosjen e tyre në rend dite, me pajtimin e vetë partisë që i ka iniciuar. Pasi Nikollovski dhe Mariçiq nuk kishin dorëzuar në Kuvend kundër-argumentet e tyre për interpelancat kishte filluar rrjedha e afateve për t’u vendosur në rend dite.

Sipas Rregullores, isha i detyruar që në seancën e parë të radhës t’i vendos si pika të rendit të ditës për shqyrtim dhe në bazë të kësaj u vendosën në seancën e 36. Në koordinim kur këmbëngulët që këto pika të hiqen nga rendi i ditës, ju njoftova për këto gjëra. Ju kërkuat që të hiqen dhe nuk mund ta ktheni këtë. Ju mund të dorëzoni iniciativa të reja, kjo nuk ju mohohet- deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Por VMRO-DPMNE-ja nuk pajtohet me këtë interpretim të Rregullores. Sipas koordinatorit të grupit parlamentar, Nikolla Micevski, interpelancat nuk janë tërhequr dhe Rregullorja nuk pamundëson vendosjen e tyre në rend dite në cilëndo nga seancat e radhës.

Rendi i ditës për ato interpelanca nuk u miratua. Interpelancat janë në procedurë parlamentare. Po, ishin në propozim-rendin e ditës, megjithatë atë rend dite nuk ishte votuar. Interpelancat nuk janë tërhequr por rrinë të hapura. I hiqni interpelancat e ministrave Mariçiq dhe Nikollovski sepse nuk doni të flasim për atë që kanë punuar, në fakt, që s’kanë punuar, dhe për atë që ka ndodhur në ministritë e tyre- tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

E fundit në rend dite në seancën e fundit të Kuvend është nisma e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për interpelancë ndaj ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski. Nisma e tyre erdhi pas rastit me arratisjen e ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkov.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button