Kuvend / Ligjet grumbull, deputetët në pushim

Kuvendi të hënën ka në rend dite miratimin e rishikimit të buxhetit. Dallimet mes pushtetit dhe opozitës nxorën në pah prioritetet e dy taborëve, duke përfshi edhe akuzat mes palëve për fokusin e investimeve kapitale, mbështetjen financiare për krizën, masat e ekonomike dhe kreditë brenda të cilave ndodhet shteti. Por java e fundit e punës së deputetëve para se të shkojnë në pushim vjetor po lë pas një pjesë të madhe të ligjeve të cilët edhe pse u propozuan dhe promovuan me pompozitet, shumica parlamentare nuk po gjen forcën që t’i çon deri në miratim. Disa prej tyre për mungesë të numrave e disa për shkak të bllokadave dhe filibasteringut që po instalon opozita, kryesisht ajo maqedonase.

Në procedurë ka ngecur propozim-Ligji anti-duhan. Një zgjidhje ligjore të cilën ish ministri i shëndetësisë, Azir Aliu e promovoi me shumë ambicie, madje duke zgjatur dhe kohën e debatit publik dhe dëgjimin e palëve të përfshira. Por i njëjti nuk gjeti dritën e zbatimit për shkak të dallimeve dhe paralajmërimeve që opozita kishte deklaruar për bllokimin e tij, pavarësisht se propozuesi i kishte vendosur flamurin e BE-së që në këtë rast arsyetimi ishte se bazohet në praktikat e Bashkimit Evropian.

Një propozim tjetër që u bë betejë politike kryesisht mes taborit politik shqiptar është edhe propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Shumica parlamentare nuk i ka numrat në badenter për ta çuar ligjin në miratim. Numri i madh i amendamenteve të propozuara ndaj zgjidhjes ligjore e cila sipas pushtetit e çon përfaqësim nga niveli praktik në atë detyrues, u vendos në status-quo për shkak se numrat e badenterit janë në favor të opozitës. Në ditën kur shumica parlamentare tentoi ta kalon ligjin pa rënë në sy, opozita e nuhati këtë veprim dhe u gjend në sallë çdo deputet i tyre, duke i pamundësuar shumicës parlamentare që ta nxjerr në votim.
Deputetët po shkojnë në pushim vjetër pa miratuar edhe Kodin Zgjedhor. Dallimet e mëdha mes pushtetit dhe opozitës e kryesisht mënyra e votimit të diasporës i kushtoi shtetit humbjen e 4.2 milion eurove para të BE-së të destinuara për përmirësimin e procesit zgjedhor. Opozita propozoi mijëra amendamente, ndërsa shumica nuk e morri guximin as t’i vendos në lexim. Afati i 15 korrikut i gjeti palët me akuza dhe kundër-akuza duke bërë që të tërhiqen nga procesi, ndërsa për t’i thirrur mendjes se Kodi Zgjedhor duhet miratuar dhe nuk duhet humbur shansi, nuk ndikoi as thirrja e Komisioneres për Zgjerim, Marta Koss e cila qëndroi për vizitë në Shkup dhe u shpreh optimiste se ngërçi do të tejkalohet. Fjalët e saj hyrën nga njëri dhe dolën nga veshi tjetër i shumicës parlamentare.

I pazgjidhur ka mbetur edhe fati i Ligjit për arsimin e lartë. Një debat i gjerë dhe një zvarritje disa mujore nuk po gjen mbështetjen e deputetëve as gati pas një viti. Në Kuvend disa herë është kthyer në komisionin amë, ndërsa opozita kishte gjetur disa vërejtje edhe në përgatitjen teknike të materialeve për leximin e tij dhe pakon e ligjeve për reforma në sistemin arsimor.

Në procedurë ka ngecur edhe propozim-Ligji për shërbime audio dhe audio-vizuele, zgjedhja e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Meri Dika Gerorgievska, propozimi për anëtarin e ri të Këshillit Gjyqësor, pakoja e ligjeve për subordinimin dhe rregullimin e statusit të punës së gjykatave, punonjësit gjyqësor dhe atyre nëpër prokuroritë publike, propozim-Ligji për armët, propozim-Ligji për komunikime elektronike, raportet të agjencive shtetërore, strategjitë nacionale etj.

Njëri nga ligjet që nuk gjeti as dritën e propozimit pasi shumica parlamentare nuk i ka numrat për të ndryshuar asnjë nga ligjet sistematike është edhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale. Ndryshimet parashikon një theksim të kompetencave por edhe përgjegjësive për krerët e komunave, por ish ministri Zllatko Perinski nuk kishte arritur ta siguronte mbështetjen e Qeverisë dhe shumicës parlamentare e opozitës për ta çuar në miratim./Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button