Pavarësisht pamjeve në terren, krerët e komunave thonë se mbetet pak punë për pastrim
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kreu i Çairit Izet Mexhiti pohon se të gjitha bulevardet janë pastruar nga pemët dhe degët e rrëzuara përtokë nga stuhia e gati një jave më parë. Në një ngjarje në Çarshi të Shkupit, tha se ka ardhur përmes bulevardeve dhe askund nuk ka parë degë të pa mbledhura.
“Po erdha nëpër bulevard, nuk pash askund. Bulevardet janë pastruar, kanë mbetur vetëm rrugicat po bashkë me qytetarët po rregullohen”, deklaroi Izet Mexhiti – Kryetar i Çairit.
Nga ana tjetër i pari i Shkupit Orce Gjorgjievski konsideron se Qyteti me sukses e ka menaxhuar të gjithë situatën me stuhinë dhe janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ndërmarrjet publike në kuadër të Shkupit.
“Kanë mbetur disa vende. Më shpesh ato janë parqe të cilat i kemi lënë në plan të dytë sepse shtabi i krizës punon sipas prioriteteve. Prioritet fillimisht ishte të sigurojmë lëvizje të të gjitha bulevardeve, korsive të biçikletave dhe këmbësore si dhe rrugët lokale në komuna. Ndërmarrjet tona publike të dalin në ndihmë edhe autoriteteve lokale. Kishte komuna të cilat më pak ishin të prekura dhe komuna që më tepër u prekën. Edhe sot punohet në Parkun e Qytetit i cili po pastrohet”, tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Shkupit.
Menjëherë pas stuhisë, Gjorgjievski mblodhi të gjithë kryetarët e komunave në kuadër të Shkupit për të diskutuar për pasojat nga stuhia. Të gjitha komunat formuan komisione para të cilave qytetarët do të mund ti paraqesin dëmet e shkaktuara. Në koordinim me Qeverinë, më pas do të bëhet dhe kompensim./Alsat.mk.








