Epidemia në Gostivar, banorët mund të padisin për shkelje të drejtës së njeriut
Gazetar: Suad Bajrami
Banorët e Gostivarit të cilat kanë pësuar helmim nga uji i pijshëm kanë të drejtë të padisin autoritetet për shkak se u është shkelur e drejta themelore e njeriut për ujë të pijshëm. Bojan Trpeski nga Shoqata e Juristëve të Rinj thotë për Alsat se gjithashtu banorët mund të paraqesin rastin në Avokatin e Popullit,
“Absolutisht sipas nesh është shkelur ajo e drejtë e njeriut dhe qytetarët kanë shumë mekanizma për t’u mbrojtur. Tani çdo rast është karakteristik në vetvete dhe nuk ka asnjë shabllon si listë që mund ta ndjekin”.
“Diçka që mund të bëjnë është të drejtohen tek Avokati i Popullit si institucion që i mbron të drejtat e njeriut. Mbikëqyrja inspektuese gjithashtu është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në këtë rast, por edhe në të gjitha rastet tjera dhe qytetarët edhe nëpërmjet telefonit ose me shkrim nëpërmjet emailit deri te inspektoratet dhe ta paraqesin të gjithë atë që vlerësojnë se ndoshta nuk është mirë”, thotë Bojan Trpeski, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj.
Trpeski gjithashtu thotë se banorët mund të ankimojnë edhe faturat për periudhën që kanë konsumuar ujë të ndotur.
“Bëhet fjalë për shërbim publik që e marrim të gjithë ne, për çka na dorëzohet faturë dhe e paguajmë dhe në këtë rast edhe ky është problem në situatën konkrete. Njerëzit mund të ankimojnë për faturat për ujë dhe të dorëzohen deri te Ndërmarrja Komunale, veçanërisht për këtë periudhë që fare nuk mund të shfrytëzohet uji për pije, megjithatë edhe në periudhën para asaj kur është shfrytëzuar për pije, por nuk ka qenë i sigurt, pasi ndërmarrjet publike kanë obligim të sigurojnë ujë të pastër, të shëndetshëm dhe të sigurt për pije”, shton Trpeski.
Trpeski thotë se incidenti ka ndodhur pasi dukshëm nuk janë respektuar kriteret për matjen e cilësisë, që përfshijnë mbikëqyrjen e sistemit, por edhe dezinfektimin. Plotësisht Tërpeski thotë duhet të kontrollohen edhe rezultatet e Qendrës së Shëndetit Publik të cilët kanë dhënë mendim pozitiv për përdorimin e ujit për pije gjatë periudhës kur pompat që kanë ndotur ujësjellësin me fekale kanë qenë vendosura për të injektuar ujë. /Alsat.mk.








